REPUBLIKA E SHQIPËRISË

Kuvendi

 P R O J E K T L I G J

  PËR

 DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9632,  DATË 30.10.2006, “PËR SISTEMIN E TAKSAVE VENDORE”,  TË NDRYSHUAR”

 Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, 84, pika 4, 113, pika 1, shkronja “ç”, 155 e 157, pika 3, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

                             V E N D O S I:

 Në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

 Neni 1

 Pika 1, e nenit 9, “Llojet e taksave”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël.”.

 Neni 2

 Kreu III, “Taksa vendore e biznesit të vogël”, me nenet 10, 11, 12, 13, 14, 15, 16, 17, 18 dhe 19, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“KREU III

“TATIMI I THJESHTUAR MBI FITIMIN PËR BIZNESIN E VOGËL”

Neni 10

Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël

 Çdo subjekt, i cili kryen një biznes, me anë të të cilit realizohet gjatë vitit fiskal qarkullim më i vogël ose i barabartë me 8 000 000 (tetë milionë) lekë, i nënshtrohet detyrimit të pagesës së tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël.

Të ardhurat gjithsej nga veprimtaria e biznesit të vogël nënkuptojnë çdo lloj të ardhure, të realizuar gjatë periudhës tatimore dhe përfshijnë, pa u kufizuar vetëm në to,: të ardhurat e realizuara nga furnizimi i mallrave dhe shërbimeve, të ardhurat nga pjesëmarrjet, të ardhurat nga interesat, të ardhurat nga shfrytëzimi i pasurisë së luajtshme e të paluajtshme.

Neni 11

Shkalla tatimore

Shkalla tatimore e aplikueshme mbi të ardhurat e tatueshme, subjekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, me qarkullim nga 2 deri në 8 milionë lekë, është 7.5 për qind dhe, për subjektet me qarkullim vjetor nga 0 deri në 2 milionë lekë, është 25 000 lekë në vit.

 Neni 12

Shpenzimet e njohura

Për efekt të përcaktimit të së ardhurës së tatueshme, subjekteve do t’u njihen si shpenzime nga të ardhurat gjithsej të gjitha shpenzimet e kryera ose të lindura gjatë periudhës tatimore, që janë tërësisht dhe ekskluzivisht të lidhura me qëllimin e biznesit.

 Neni 13

Shpenzimet e panjohura

1. Për efekt të përcaktimit të së ardhurës së tatueshme, nuk njihen shpenzimet e mëposhtme:

a) kostoja e blerjes dhe e përmirësimit të tokës e të truallit;

b) kostoja e blerjes, përmirësimit, rinovimit dhe rikonstruksionit të aktiveve të veprimtarisë, të cilat amortizohen, në përputhje me nenin 22, të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar;

c)  vlera e shpërblimeve në natyrë;

ç)  interesat e paguar, të cilët tejkalojnë normën mesatare të interesit 12-mujor të kredisë, për tregun bankar, sipas publikimit zyrtar të Bankës së Shqipërisë;

d) gjobat, kamatëvonesat dhe kushtet e tjera penale;

dh) krijimi ose rritja e rezervave dhe e fondeve të tjera speciale, përveç rasteve të parashikuara në ligj apo në akte nënligjore;

e)  tatimi mbi të ardhurat personale dhe ato nga biznesi;

ë) shpenzimet për përfaqësim dhe për pritje-përcjellje, të cilat e tejkalojnë shumën 0,3 për qind të qarkullimit vjetor;

f)  shpenzimet e konsumit personal, të përcaktuara me udhëzim të ministrit të Financave;

g) shpenzimet, të cilat tejkalojnë kufijtë e përcaktuar me ligj apo me akte nënligjore. Për kufijtë e përcaktuar për qëllime tatimore në ligjin nr.7892, datë 21.11.1994, “Për sponsorizimet”, nuk njihen si shpenzime të njohura shumat e sponsorizuara që tejkalojnë masën  3 për qind të fitimit para tatimit dhe shuma e sponsorizuar për botuesit e shtypit, e cila tejkalon masën 5 për qind të fitimit para tatimit;

gj) shpenzimet për dhurata;

 h) çdo shpenzim, masa e të cilit nuk vërtetohet me dokumente nga tatimpaguesi;

i) shpenzimet për shërbime teknike, konsulence dhe të menaxhimit të faturave nga persona të tretë, por të palikuiduara brenda periudhës tatimore nga tatimpaguesi;

j) humbjet, dëmtimet, firot dhe skarcot gjatë prodhimit, transitimit dhe magazinimit tej normave të përcaktuara në akte të veçanta ligjore dhe nënligjore;

k) shpenzimet për pagat, shpërblime dhe çdo formë tjetër të të ardhurave personale, të cilat lidhen me të ardhurat nga marrëdhëniet me punësimin, që u janë paguar të punësuarve, përfshirë dhe administratorët, pa kaluar nëpërmjet sistemit bankar. Rastet e përjashtimit nga ky rregull janë të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave;

l) shumat e paguara në cash, mbi kufijtë e përcaktuar në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

Rastet e përjashtimit nga ky rregull janë të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave;

ll) nëse gjatë periudhës tatimore huaja dhe parapagimi tejkalojnë mesatarisht katër herë shumën e kapitaleve të veta, interesi i paguar për shumën e tejkaluar nuk njihet si shpenzim i zbritshëm;

m) borxhi i keq, nëse nuk plotësohen tri kushtet e përcaktuara në nenin 24, të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar. Një borxh i keq, që është mbledhur, duhet të përfshihet si e ardhur në çastin e mbledhjes;

n) shpenzimet për udhëtime, ushqim, akomodim dhe lëvizje duhet të kufizohen te shumat e specifikuara me udhëzim të ministrit të Financave;

nj) shpenzimet për asetet kapitale, përveç shpenzimeve për tokën, veprat e artit dhe pasuri të tjera që nuk amortizohen, në pronësi të tatimpaguesit dhe të përdorura për veprimtaritë e biznesit të tatimpaguesit, do të mbulohen gjatë kohës përmes shpenzimeve të amortizimit, sipas përcaktimeve të mëposhtme:

i)  Kostot e blerjes ose të ndërtimit, kostot e përmirësimit, rinovimit dhe rikonstruksionit të ndërtesave, të konstruksioneve dhe makinerive e të pajisjeve, me afat të gjatë shërbimi, amortizohen veçmas, në mënyrë lineare, me 5 për qind;

ii)   Amortizimi për kostot e blerjes së aktiveve të patrupëzuara llogaritet veç për secilin aktiv, sipas metodës lineare, në masën 15 për qind;

iii)   Kompjuterat, sistemet e informacionit, produktet software dhe pajisjet e ruajtjes të të dhënave amortizohen në bazë të vlerës së grupit, me 25 për qind;

iv)   Të gjitha aktivet e tjera të veprimtarisë me 20 për qind.

2. Baza e amortizimit është vlera kontabël e kategorisë së regjistruar në bilancin e hapjes së periudhës tatimore, duke i shtuar koston e blerjes apo të krijimit të aktivit dhe koston e përmirësimit, rinovimit dhe rikonstruksionit të aktiveve të kategorisë, gjatë periudhës tatimore dhe, duke i zbritur çmimin e shitjes së aktiveve dhe kompensimet e marra për humbjen e aktiveve, për shkak të forcave të tjera madhore ose të shndërrimeve të tjera të pavullnetshme, gjatë periudhës tatimore. Në rastin kur baza e amortizimit është një shumë negative, kjo shumë i shtohet së ardhurës së tatueshme dhe baza e amortizimit merret zero. Në rastin kur baza e amortizimit nuk kalon 5 000 lekë, e gjithë baza e amortizimit është një shpenzim i zbritshëm i veprimtarisë. Në rastin kur bëhet rivlerësim i aktiveve të veprimtarisë, nuk lejohet të llogaritet amortizimi për shumën e rivlerësuar.

Neni 14

Mbajtja e regjistrimeve

Librat dhe regjistrimet, që kërkohet të mbahen nga tatimpaguesit, janë: libri i shitjes (i qarkullimit), libri i blerjeve, libri i shpenzimeve dhe i të ardhurave dhe libri i aktiveve të biznesit, të cilat përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave, në zbatim të këtij ligji.

Neni 15

Parapagimi

Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, për subjektet me qarkullim nga 2 deri në 8 milionë lekë, llogaritet në bazë të formularit të deklarimit tatimor të biznesit të vogël, i cili përcaktohet me udhëzim të ministrit të Financave.

Për vitin 2014, tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël llogaritet në bazë të formularit të deklarimit të të ardhurave personale të biznesit që kjo kategori biznesi, në bazë të ligjit nr.8438,  datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, ka dorëzuar brenda datës 31 mars 2013 te drejtoritë rajonale tatimore. Konkretisht, bazuar te “Fitimi i tatueshëm” i këtij formulari, drejtoritë rajonale tatimore përllogaritin tatimin e thjeshtuar mbi fitimin të biznesit të vogël për vitin 2014 me normën tatimore 7.5% dhe i njoftojnë subjektet e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël për detyrimin për pagesë, për vitin 2014, duke e ndarë në katër këste, në prill, korrik, tetor dhe dhjetor 2014.

Të gjithë tatimpaguesit me qarkullim nga zero deri në 2 milionë lekë në vit, paguajnë si tatim të thjeshtuar mbi fitimin një tatim fiks, në masën 25,000 lekë në vit te drejtoritë rajonale tatimore. Kjo pagesë kryhet brenda gjashtëmujorit të parë të çdo viti.

2. Brenda datës 15 shkurt të çdo viti, Drejtoria Rajonale Tatimore nxjerr njoftim – vlerësimin për çdo subjekt lidhur me tatimin e thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, të ndarë në katër këste vjetore, në bazë të fitimit të tatueshëm, të deklaruar nga biznesi një vit më parë, në bazë të formularit të deklarimit të biznesit të vogël.

3. Biznesi mund të ankimojë këtë njoftim – vlerësimi brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga marrja e tij.

4. Në rast se aktiviteti i biznesit hapet gjatë vitit fiskal, tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël është proporcional me kohën e zhvillimit të aktivitetit dhe llogaritet në bazë të vetëdeklarimit të tatimpaguesit.

5. Pagesat e kësteve të tatimit kryhen te bankat e nivelit të dytë për llogari të administratës tatimore brenda datave 20 prill, 20 korrik,       20 tetor dhe 20 dhjetor të çdo viti. Me kryerjen e pagesës dhe marrjen e konfirmimit bankar të kryerjes së pagesës, tatimpaguesi shkon te zyrat e shërbimit tatimpagues tatimor dhe kundrejt paraqitjes së dokumentit bankar të pagesës merr “Pullën e tatimit” të këstit, për të cilin ka bërë pagesën. Dizenjot dhe elementet e pullës caktohen me udhëzim të ministrit të Financave. Tatimpaguesi e vendos pullën e tatimit lart certifikatës së regjistrimit në QKR për të lehtësuar ushtrimin e kontrollit vizual nga organet kompetente. Këto dokumente prodhohen nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë dhe shpenzimet përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Pulla e tatimit duhet të përmbajë elemente të sigurisë së lartë për të shmangur falsifikimin e tyre. Tatimpaguesit me qarkullim nga 0 deri në 2 milionë lekë në vit paguajnë tatimin fiks, në masën 25.000 lekë në vit te drejtoritë rajonale tatimore brenda gjashtëmujorit të parë të çdo viti, te bankat e nivelit të dytë, për llogari të Drejtorisë Rajonale Tatimore. Për kryerjen e pagesës dhe marrjen e konfirmimit bankar të kryerjes së pagesës, tatimpaguesit shkojnë te zyra e shërbimit tatimpagues tatimor dhe, kundrejt paraqitjes së dokumentit bankar të pagesës, marrin pullën e tatimit, për të cilën kanë bërë pagesën.

6. Drejtoritë rajonale tatimore bëjnë regjistrimin e arkëtimit tremujor të tatimit, që shërben si dokument bazë për rakordimin e pagesës së tatimit me zyrat e tatimeve të bashkive dhe komunave. Regjistrimi bëhet në një regjistër të veçantë ose në mënyrë elektronike, forma dhe përmbajtja e të cilit përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.

Neni 16

Deklarimi

Çdo tatimpagues, subjekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, me qarkullim nga 2 deri në 8 milionë lekë, është i detyruar që, deri më 31 mars të vitit që pason periudhën tatimore, të dorëzojë një deklaratë vjetore tatimore, ku të jepen hollësisht të ardhurat, gjithsej, shpenzimet e zbritshme, e ardhura e tatueshme, tatimi për t’u paguar, si dhe çdo hollësi tjetër e kërkuar nga ministri i Financave në udhëzimin për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratës tatimore vjetore. Deklarata dorëzohet në bankat, me të cilat administrata tatimore ka marrëveshje për pranimin e deklaratave dhe të pagesave dhe ajo shoqërohet me çdo kërkesë për rimbursim apo me çdo shumë për t’u paguar.

Neni 17

Agjenti tatimor

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nëpërmjet drejtorive rajonale tatimore, vepron si agjent tatimor, i ngarkuar me mbledhjen, arkëtimin dhe transferimin në llogaritë e buxhetit të qeverisjes vendore të të ardhurave nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël.

Administrata rajonale tatimore krijon një regjistër të veçantë mbi biznesin e vogël në bazë të të dhënave që merr nga bashkitë dhe komunat. Ky regjistër do të përditësohet me hapjen e biznesve të reja.

 Neni 18

Transferimi i të ardhurave në llogaritë e njësive të qeverisjes vendore dhe në buxhetin e shtetit dhe komisioni i agjentit tatimor

Administrata tatimore transferon të ardhurat nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël në llogari të bashkive ose të komunave, ku ka vendndodhjen biznesi i taksueshëm, brenda datës 10 të muajit pasardhës, kur janë arkëtuar taksat.

Administrata tatimore, për shërbimin që kryen si agjent tatimor, merr një komision. Ky komision llogaritet në përqindje të shumës së tatimit që kanë arkëtuar dhe kanë transferuar në buxhetin e njësive të qeverisjes vendore, i cili është në masën 1 për qind dhe derdhet në llogari të administratës tatimore. Komisioni si agjent tatimor kalon në llogari të buxhetit të shtetit, në bazë të legjislacionit në fuqi mbi përdorimin e të ardhurave dytësore, të krijuara në institucionet buxhetore dhe për mbulimin e kostove të “Pullave të tatimit”.

Neni 19

Bashkëpunimi

 1. Brenda datës 30 janar 2014, njësitë e qeverisjes vendore u përcjellin drejtorive rajonale tatimore të gjitha të dhënat për subjektet me qarkullim vjetor nga 0 në 8 milionë lekë.

2. Drejtoria Rajonale Tatimore njofton bashkinë ose komunën jo më pak se një herë në gjashtë muaj për punën e bërë për nivelin e vjeljes së këtij tatimi.

3. Bashkia dhe komuna, kur e gjykojnë të nevojshme, i kërkojnë organit tatimor kryerjen e veprimeve për plotësimin e detyrave për administrimin e tatimit dhe derdhjen në favor të saj, sipas afatit ligjor të të ardhurave nga tatimi i thjeshtuar i fitimit mbi biznesin e vogël.”.

                      Neni 3

 Pas pikës 2, të nenit 20, “Përcaktimi dhe llojet”, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:

“3. Brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, zyrat rajonale të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme u ofrojnë bashkive dhe komunave të dhënat e regjistrimit elektronik të pasurisë.”.

            Neni 4

 Aneksi 1, i përmendur në pikën 2, të nenin 21, “Rregulla të përbashkëta të taksës mbi pasurinë e paluajtshme”, që i bashkëlidhet ligjit, zëvendësohet me aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.

     Neni 5

 Në fund të pikës 1, të nenit 22, “Taksa mbi ndërtesat”, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:

 “Personat fizikë, të cilët kanë më shumë se një shtëpi, për shtëpinë ku kanë banimin e zakonshëm, paguajnë taksën e ndërtesës sipas aneksit 1 bashkëlidhur këtij ligji, ndërsa për të gjitha shtëpitë e tjera, taksa e ndërtesës është sa dyfishi i taksës së ndërtesës, që zbatohet në zonën ku ndodhet kjo ndërtesë.”.

      Neni 6

 Pas pikës 7, të nenit 26, “Taksa e fjetjes në hotel”, shtohet pika 8, me këtë përmbajtje:

 “8. Çdo gjashtë muaj, hotelet paraqesin për miratim çmimet e fjetjes në hotel te bashkitë dhe komunat. Bashkitë dhe komunat miratojnë çmimet çdo gjashtëmujor, për efekt të taksës së fjetjes në hotel, bazuar në sondazhet e kryera në treg.”.

 Neni 7

 Fjalia e dytë, e nenit 33, “Taksat e përkohshme”, shfuqizohet.

Neni 8

 Në pikën 2, të nenit 35, “Tarifat vendore dhe administrimi i tyre”, fjalët   “… por, në asnjë rast, shuma e tarifave vendore të aplikueshme për tatimpaguesit e biznesit të vogël nuk duhet të kalojë 10 për qind të nivelit tregues të taksës, sipas tabelës së taksimit të subjekteve të biznesit të  vogël …” shfuqizohen.

 Neni 9

 Ngarkohet ministri i Financave, që, brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë udhëzimin për zbatimin e ligjit.

 Neni 10

 Ky ligj hyn në fuqi menjëherë, botohet në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2014.

   K R Y E T A R I

 ILIR META

 Aneksi nr. 1

 Nivelet treguese të taksës së ndërtesës

 

  Bashkitë
Zona 1

Tiranë

Durrës

Zona 2

Vlorë

Fier

Sarandë

Pogradec

Korçë

Elbasan

Berat

Lushnjë

Gjirokastër

Shkodër

Kavajë

Lezhë

Zona 3

Të gjitha Bashkitë e tjera

Lekë/m2  në vit
I. Ndërtesa banimi 30 12 6
II Ndërtesa të Tjera      
- Për tregti dhe Shërbime 400 300 200
- Të tjera 100 60 40
III. Ndërtesa në pronësi apo në përdorim, në territore të miratuara si fshatra turistike.

 

400 400 400

 Shënim I: Nivelet treguese të taksës, dhënë në tabelë, janë të vlefshme për ndërtesat në zonat urbane (bashkitë), si dhe për ndërtesat në të gjitha zonat (urbane dhe rurale) të seksionit III të tabelës “Ndërtesa në pronësi apo në përdorim, në territore të miratuara si fshatra turistike”.

Shënim II: Në zonat rurale (komunat), niveli tregues i taksës për çdo kategori minimale të ndërtesës (përjashtuar seksionin III) është sa një e dyta e nivelit tregues përkatës të kategorisë minimale të ndërtesës në bashkitë qendër rrethi, në të cilat ndodhet komuna.

 

 

 

   REPUBLIKA E SHQIPËRISË

Kuvendi

                         P R O J E K T L I GJ

 PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10383, DATË 24.2.2011 “PËR SIGURIMIN E DETYRUESHËM

TË KUJDESIT SHËNDETËSOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

        V E N D O S I:

 Në ligjin nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

                                                      Neni 1

 Neni 7, “Baza për llogaritjen e kontributit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 7

1. Baza për llogaritjen e kontributit është paga bruto e personit të siguruar.

2. Kontributi i shtetit për personat ekonomikisht joaktivë bazohet në konsumin për frymë të shërbimit shëndetësor, indeksuar me koeficientin e inflacionit. Konsumi për frymë për shërbimin shëndetësor përcaktohet nga Fondi dhe miratohet nga Kuvendi, së bashku me miratimin e buxhetit vjetor.

3. Baza për llogaritjen e kontributit për punonjësit e vetëpunësuar është dyfishi i pagës minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve.

4. Për sigurimet shëndetësore vullnetare baza e llogaritjes së kontributit është dyfishi i pagës minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve.”.

                 Neni 2

 Pika 1, e nenit 12, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Fondi i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor nuk financon shërbime të kujdesit shëndetësor ndaj personave që nuk janë të siguruar, me përjashtim të rasteve të urgjencës mjekësore, si dhe të paketës së kontrolleve periodike parandaluese në popullatë, sipas përcaktimeve të bëra me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

 Neni 3

 Neni 16, “Këshilli administrativ”,  ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 16

1. Këshilli adminstrativ është organi më i lartë vendimmarrës i Fondit dhe ka në përbërjen e tij 7 anëtarë, si më poshtë vijon:

a) Ministrin e Shëndetësisë ose përfaqësuesin e tij;

b) Ministrin e Financave ose përfaqësuesin e tij;

c) Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë  ose përfaqësuesin e tij;

ç) Drejtorin e Përgjithshëm të Fondit ose përfaqësuesin e tij;

d) Drejtorin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore ose përfaqësuesin e tij;

dh) Një përfaqësues të sindikatës të të punësuarve;

e)  Një përfaqësues të organizatës së profesionistëve të shëndetësisë.

2. Koha e shërbimit të anëtarëve të këshillit administrativ është 4 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje, ose për aq kohë sa anëtari është përfaqësues i organit përkatës.

3. Këshilli i Ministrave përcakton se cila sindikatë dhe organizatë e profesionistëve të shëndetësisë do të emërojë përfaqësuesin e saj në këshillin administrativ.”.

 Neni 4

 Neni 17, “Drejtimi i këshillit administrativ”,  ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 17

 1. Këshilli administrativ zgjedh, me votim të fshehtë, kryetarin ndërmjet përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave.

2. Këshilli administrativ zgjedh nënkryetarin ndërmjet përfaqësuesve të kontribuesve joqeveritarë.

3. Kryetari ose, në mungesë të tij, nënkryetari, drejton këshillin administrativ.”.

 Neni 5

 Neni 19, “Drejtori i Përgjithshëm”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 19

Drejtori i Përgjithshëm zgjidhet nga këshilli administrativ ndërmjet jo më pak se tri kandidaturave të paraqitura nga anëtarët e këtij këshilli, sipas kritereve dhe rregullave të përcaktuara në statutin e Fondit.

  1. Këshilli zgjedh drejtorin e Përgjithshëm, me votim të fshehtë, me 2/3 e votave të të gjithë anëtarëve të tij.
  2. Koha e ushtrimit të detyrës së drejtorit të Përgjithshëm është 5 vjet.
  3.  Paga e drejtorit të Përgjithshëm caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
  4. Drejtori i Përgjithshëm raporton para këshillit administrativ.
  5. Këshilli administrativ vendos për shkarkimin e drejtorit të Përgjithshëm në këto raste:

a) nëse dënohet me vendim të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale;

b) nëse shkel dispozitat e statutit, vendimet e këshillit administrativ dhe legjislacionin në fuqi.”.

 Neni 6

 Në nenin  20, “Funksionet e këshillit administrativ”, bëhen këto ndryshime:

1.Shkronja “ç”, e nenit 20, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“ç” miraton statutin, rregullat ekonomike, financiare, procedurale, të auditimit e të kontrollit, si dhe rregulla të tjera të brendshme, që ai i gjykon të nevojshme gjatë veprimtarisë së Fondit, në zbatim të këtij ligji.”.

2.Shkronja “g”, e nenit 20, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“g)  miraton numrin e përgjithshëm të punonjësve të Fondit.”.

 Neni 7

 Në nenin 21, “Funksionet e drejtorit të Përgjithshëm”, bëhen këto ndryshime:

  1.  Shkronjat “a” dhe “c”, të pikës 1, të nenit 21, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“a) propozon për miratim në këshillin administrativ statutin, rregulloret ekonomike financiare, procedurale, të auditimit e të  kontrollit, raportin vjetor dhe projektbuxhetin vjetor.

c)     propozon në këshillin administrativ numrin e përgjithshëm të punonjësve dhe miraton strukturën e brendshme, përshkrimet e punës së Drejtorisë së Përgjithshme dhe të zyrave vendore, si dhe rregulloret e organizimit e të funksionimit të përgjithshëm të Fondit.”.

 Neni 8

 Neni 42/1 shfuqizohet.

Neni 9

Fjalia e fundit, e nenit 43, shfuqizohet.

 Neni 10

 Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 K R Y E T A R I

ILIR META