Eurodeputeti dhe kryetari i grupit të Aleancës Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve në PE z. Gianni Pittella, në vazhdim të vizitës së tij dy ditore në vendin tonë, prezantoi librin e tij të fundit “La note dell Europa” dhe mbajti nje leksion të hapur në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë. Leksioni u zhvillua në kuadër të leksioneve të hapura me personalitete të shquara që organizohen nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë.

z. Pittella u prit nga themeluesi dhe Presidenti i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Prof. Dr. Anastas Angjeli, Akademik dhe Deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Në fjalën e tij të hapjes Profesor Angjeli ndër të tjerat tha: “Eshtë me të vërtetë një kenaqësi e vecantë të kemi sot pranë nesh z. Pittella, i cili është nderuar nga Universiteti ynë me titullin Doctor Honoris Causa dhe është njëkohësisht anëtar i Bordit të Nderit të Universitetit tonë. Z. Pittella vjen sot për të promovuar librin e tij të fundit “La note dell Europa” dhe për të mbajtur një ligjeratë për cështjet dhe sfidat komplekse me të cilat përballet sot Bashkimi Evropian.

Konsideroj se z. Pittella është personaliteti i duhur për të folur për cështje me rëndësi kaq jetike për evropën në një auditor universiteti. Kjo jo vetëm sepse është një nga njohësit më të mirë të cështjeve që lidhen me integrimin evropian dhe me të ardhmen e Bashkimit Evropian por edhe sepse është një nga ata Eurodeputetë që për asnjë cast nuk e ka limituar aktivitetin e tij politik në ambjentet e Parlamentit Evropian.

Duke repsektuar filozofinë se politika nuk është një profesion por një kontribut që qytetari duhet të japë për komunitetin, për ta bërë botën një botë më të mirë, më të drejtë, më solidare, Gianni është gjendur gjatë gjithë aktivitetit të tij social e politik pranë qytetarëve, pranë veprimit, gjithmonë duke dhënë kontributin e tij të vuer, gjithmonë duke promovuar vlerat sociale dhe humane.”

Gjatë leksionit të mbajtur përpara pedagogëve dhe studentëve të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, z. Gianni Pittella u ndal në momentet delikate që Bashkimi Evropian ka kaluar gjatë viteve të fundit si pasojë e krizës financiare por edhe si pasojë e krizës më të fundit të emigrantëve. Z. Pittella përshkroi qëndrimet e fraksioneve të ndryshme politike brenda Parlamentit Evropian por edhe qëndrimet e vendeve të ndryshme të Eurozonës në lidhje me krizën e Greqisë dhe shprehu besimin e tij se kjo krizë do të kalohet vetëm nqs Eurozona do të qëndrojë e bashkuar dhe vendet do të tregojnë solidaritet por edhe përgjegjshmëri ndaj njëri tjetrit. Z. Pittella u ndal edhe te roli i Parlamentit Evropian dhe te nevoja e forcimit të rolit të tij në të ardhmen jo vetëm si një shenjë e thellimit të demokracisë në nivel evropian por edhe si një domosdoshmëri e thellimit të procesit të integrimit evropian. Në vazhdim të ligjëratës së tij z. Pittella u ndal në rëndësinë që ka për evropën integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe të nevoja që kanë vendet e rajonit për intensifikimin e reformave të nisuara si dhe për thellim të bashkëpunimit rajonal në mënyrë që i gjithë rajoni të integrohet sa më shpejt në Bashkimin Evropian.

Në vazhdimz. Pittella ju përgjigj pyetjeve të shumta të studentëve dhe të pedagogëve.

12191578_10153662865493449_2981276115815466756_n