Zgjerimi i lirisë ekonomike dhe përsosja e reformave rregullatore (në funksion të saj) janë një çështje e rëndësishme e zhvillimit të ekonomisë së tregut në vendin tonë. Kësisoj, liria ekonomike është në thelb të çështjeve të zhvillimit të një ekonomie tregu funksionale. Kjo sepse në fokus të mirëfunksionimit të kësaj ekonomie janë dhe lidhjet shumë të rëndësishme dhe të ndërsjella mes lirisë ekonomike, zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së një vendi. Në faza të ndryshme të tranzicionit tonë ekonomik, në varësi dhe funksion të kryerjes së reformave ekonomike, ngritjes dhe funksionimit të institucioneve të tregut dhe veçanërisht realizimit të reformave rregullatore, është zgjeruar apo ngushtuar dhe hapësira e lirisë ekonomike, për rrjedhojë edhe mundësitë dhe shanset e zhvillimit me më lehtësi të biznesit në vendin tonë.

Kjo do të thotë se liria ekonomike, në fund të fundit, ka të bëjë, është lidhur, me njerëzit, me shanset e individit për arritjen e qëllimeve dhe plotësimin e nevojave të tyre. Sa më i madh numri i pengesave dhe vështirësive dhe sa më të mëdha të jenë kufizimet ekonomike në një vend, aq më pak ka të ngjarë, që përpjekjet e individëve për arritjet e qëllimeve të tyre të jenë të suksesshme.

Për matjen e shkallës së lirisë ekonomike përdoren tregues të ndryshëm, të cilët vlerësohen nga institucione apo fondacione ndërkombëtare, siç është treguesi i lirisë ekonomike, “Index of Economic Freedom” i dy organizatave prestigjioze: “The Heritage Foundation” dhe “The Wall Street Journal” apo “Doing Business” i Bankës Botërore.
E pra, siç e theksova më sipër, në vlerësimet e këtyre institucioneve, pavarësisht nga zigzaget dhe uljet e ngritjet për lirinë ekonomike në vendin tonë (reformat rregullatore), duhet pranuar se Shqipëria, përgjithësisht, që kur ka filluar të vlerësohet nga këto institucione, ka pasur një progres të përgjithshëm.

“DOING BUSINESS-2016” DHE SHQIPËRIA
Më konkretisht, analiza e Bankës Botërore përmes raportit “Doing Business” mbështetet në disa kritere që lidhen si me procedurat, përhapjen e një biznesi, ashtu dhe me pengesat gjithfarëllojshe, që sipërmarrjet e vogla dhe të mesme hasin gjatë aktivitetit të tyre ekonomik.
Duhet theksuar se kjo analizë nuk studion në mënyrë të drejtpërdrejtë disa faktorë të rëndësishëm, si distanca nga tregjet e mëdha, cilësia e infrastrukturës, siguria e pronës, transparenca e qeverisjes, kuadri makroekonomik, si dhe cilësia e institucioneve.

Në raportet e këtyre institucioneve sigurohen, gjithashtu, të dhëna për lehtësinë e të bërit biznes, renditet çdo vend, dhe jepen rekomandime për reforma të mundshme për të përmirësuar performancën në secilën nga kategoritë e raporteve.
Në bazë të rezultanteve të faktorëve që studiohen në këtë analizë, raporti prodhon dy indekse agregate të rëndësishme për secilin shtet. Së pari, matet distanca që secili shtet ka nga vendi që performon më mirë (distance to frontier, 0 ai që është më larg dhe 100% për vendin që performon më mirë) dhe, së dyti, paraqitet klasifikimi i ekosistemeve të shteteve të ndryshme, nga 1 që është i pari deri në 189 që është i fundit i renditur në klasifikim.

Por është po kaq e vërtetë që raporti i Bankës Botërore, i publikuar dy ditë më parë, “Doing Business -2016”, i cili ofron raporte të detajuara lokale, që mbulojnë në mënyrë shteruese reformat dhe rregullat e biznesit në qytete dhe rajone të ndryshme brenda një vendi, ka një vlerësim, një rënie në renditjen e përgjithshme të të bërit biznes në Shqipëri…
Sipas këtij raporti (Doing Bussines- 2016), Shqipëria renditet në vendin e 97-të. Vitin e kaluar vendi ynë renditej në vendin e 62-të, pra kemi një rënie të përgjithshme prej 35 vendesh.

Gjithashtu, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria është e fundit. FYROM gjendet në vendin e 12 dhe është e para në rajon, Kroacia në vendin e 40-të, Mali i Zi në vendin e 46-të, Serbia në vendin e 59-të, Greqia në të 60-in, Kosova në vendin e 66-të dhe Bosnjë-Hercegovina është në vendin e 79.
Njëhershi, sipas këtij raporti, nga 10 kategoritë që vlerëson “Doing Business”, Shqipëria ka rënie në 7 prej tyre.
Më konkretisht: Në kategorinë “Fillimi i një biznesi” (Starting a business) ka humbur 4 vende, duke u renditur në vendin e 58-të nga vendi 54-t i një viti më parë; në “Lidhja e energjisë elektrike” (Getting Eletricity) ka humbur 3 vende, duke u renditur e 162-ta nga 159-a e një viti më parë; në “Regjistrimin e pasurisë” (Registering Property) ka humbur 3 vende, duke u renditur në vendin e 107-të nga 104-tra, një vit më parë, në “Marrjen e kredisë” (Getting Credit) ka humbur 6 vende dhe nga vendi 36-të ka rënë në atë të 42-in.

Në “Marrjen e Lejeve të Ndërtimit” (Dealing with Construction Permits) Shqipëria ka rënien më të madhe prej 67 vendesh dhe është renditur e 189-ta, nga vendi i 122-të i një viti më parë. Në kategorinë e “Zgjidhjes së paaftësisë paguese” (Resolving insolvency) Shqipëria ka rënie prej dy vendesh nga viti i kaluar dhe nga vendi i 40-të, renditet në vendin 42-të. Në kategorinë “Pagimi i taksave” (Paying taxes) Shqipëria ka rënie prej 12 vendesh dhe renditet në vendin e 142-të, nga vendi 130 ku renditej një vit më parë. Një nga kategoritë ku vendi ynë ka parë përmirësim është kategoria e “Mbrojtjes së investitorëve të vegjël” (Protecting minority investors) ku, falë punës së bërë, kemi një ngritje prej 10 vendesh dhe renditemi në vendin e 8-të. Në kategoritë “Tregtia ndërkufitare” (Trading across borders) dhe “Zbatimi i kontratave” (Enforcing contracts) Shqipëria renditet në të njëjtat pozicione të vitit të kaluar, respektivisht në vendet 37 dhe 96.

MESAZHET E RAPORTIT “DOING BUSINESS-2016” DHE DISA SYGJERIME
Po çfarë mesazhesh marrim nga ky vlerësim i raportit “Doing Business-2016”?
Së pari, gjatë këtij viti Shqipëria ka pasur një rënie në klimën e biznesit si në raport me vendin që performon më mirë (DTF), ashtu dhe në drejtim të klasifikimit të ekosistemeve të ndryshme nga 66.77 që ishte një vit më parë në 60.5, ashtu dhe sa i përket raportit global Shqipëria nga vendi i 62-të në vendin e 97. Një renditje e tillë, për momentin, është me ndikim jopozitiv në zhvillimin e biznesit vendës dhe sidomos atij të huaj, e për rrjedhojë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Së dyti, që duhet të nxjerrim arsyet pse ky vlerësim në ulje në renditjen e “Doing Business-2016”.
Argumenti se gjatë kësaj periudhe janë ndërmarrë reforma dhe masa, efektet e të cilave do të reflektohen në vitin 2016, pa dyshim që duhet konsideruar, edhe pse nuk është i vetmi. Kjo sepse ndryshimi i modelit ekonomik qe po ndërmerret implikon shumë faktorë me ndikim të përkohshëm kufizues në elemente të ndryshme të lirisë ekonomike. Ai si argument qëndron kryesisht për disa kategori si:
– “Marrjen e lejeve të ndërtimit, e cila ndikon në indeksin e parë (nëse do të zhbllokohet situata). Pra në këtë drejtim, për të përmirësuar situatën, është e nevojshme që të përshpejtohet vënia në zbatim e reformës territoriale, vënia e plotë nën kontroll e territorit me qëllim rifillimi i dhënies të lejeve të ndërtimit. Edhe pse në këtë drejtim po punohet, dinamizmi dhe kapja e kohës janë thelbësore. Kjo,njëhershi, do të zhbllokojë dhe situatën “deri diku të ngrirë” të më shumë se 160 llojeve biznesi të lidhura me industrinë e ndërtimit.

– “Lidhjen e energjisë elektrike”, për shkak se reformat në sektorin energjetik kanë nisur të japin efektin e tyre, por rezultatet në rritjen e arkëtimeve dhe ato të uljes së humbjeve në rrjet, duhet të rikthehen në më shumë investime konkrete në këtë sektor, si dhe në shërbime më të shpejta për sipërmarrjet dhe qytetarët.
– “Pagimi i taksave”, për shkak të masave antiinformalitet që kanë filluar të zbatohen. Edhe për këto kategori reagimi duhet të jetë më i shpejtë, më dinamik, sidomos në drejtim të zgjerimit të bazës tatimore dhe të ndryshimeve të mundshme të shkalles tarifore në disa taksa.

Sa u përket kategorive të tjera kërkohet një fokus i veçantë me masa e program të qartë, të shpejtë dhe efikas. Kjo sepse me ndikim në renditjen me ulje të vendit tonë në këtë raport, sidomos në indeksin e dytë, ka pasur rënie në disa kategori, si: në kategorinë “Fillimi i një biznesi”, në “Regjistrimin e pasurisë” (Registering Property), në “Marrjen e kredisë” (Getting Credit), në kategorinë e “Zgjidhjes së paaftësisë paguese” etj.
Lidhur me këto çështje duhen konsideruar si pengesat në fillimin e një biznesi, çfarëdo qofshin ato, ligjore apo administrative, ashtu edhe për zgjidhjen e kredive me probleme (një studim për këtë çështje është në hapat e parë) dhe që do të zhbllokojë dhe marrjen e kredive dhe rritjen e kredisë në ekonomi, për të cilën, veç masave që po merren, duhet konsideruar drejt edhe fakti i lehtësimit disi të masave që mundësojnë kalimin nga modele të standardizuara të rrezikut, në përdorimin e pjesshëm të modeleve të brendshme të rrezikut, siç ka filluar të kryhet dhe në disa vende të tjera, për të lehtësuar efektet frenuese të “Basel 2” dhe “Basel 3”.

Njëhershi, një frymë ndryshimesh pozitive që ka nisur duhet të përfshijë me shpejtësi dhe përmirësimet dhe zgjidhjen e çështjeve të mbartura në Shqipëri,si ato të likuiditetit, apo aplikimi sa më i shpejtë i kuadrit ligjore të përmirësuar për ekzekutimin e kolateralit, forcimi i kontratave, përmirësimin e nivelit të regjistrimit të pronës, mbyllja përfundimtare e procesit të legalizimit dhe shpërndarjes së titujve të pronësisë, si dhe organizimi dhe fillimi i regjistrimit të tyre në kadastrën fiskale.
Së treti,duhet punuar në mënyrë dinamike dhe të vazhdueshme për prezantimin e efekteve që do të japin reformat e ndërmarra në kategoritë vlerësuese të mësipërme. Kjo sepse, këtij vlerësimi të publikuar, “Doing Business-2016”, i referon agjenci të ndryshme vlerësuese ndërkombëtare dhe biznesi. Kësisoj, për momentin ato nuk mund të konsiderohen si pozitive, si për biznesin vendës, ashtu dhe për atë të huaj, veçanërisht. Dhe ne nuk duhet të presim raportin e vitit 2017 për të informuar ndryshimet dhe efektet e pritshme nga masat! Ndryshe, kjo mund të na kushtojë.

Më në fund,nevoja për vazhdimin e reformave rregullatore, e krijimit të një klime më të mirë të biznesit, e forcimit të institucioneve të tregut,e heqjes së pengesave administrative,e krijimit më të mirë të kushteve për tërheqjen e investimeve të huaja etj. duhet konsideruar si një çështje prioritare, e domosdoshme, në vazhdimësi.

*                     *                         *

Krijimi një situate të re, më të mirë dhe lehtësuese për zhvillimin e biznesit, krijon më shumë liri ekonomike dhe ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit, dhe e kundërta, nëse ne nuk ecim në këtë rrugë, shtohen pengesat, nxiten forca frenuese të zhvillimit të biznesit dhe të tregut që ngushtojnë hapësirat e lirisë ekonomike, asfikson veprimtarinë e biznesit në vend, i cili është jo vetëm gjenerator i zhvillimit e punësimit, por edhe burim i të ardhurave për financat publike, dhe ngushtojnë hapësirat e lirisë ekonomike, me ndikim në financat publike, në punësim dhe çështje sociale etj.

12190939_1729557417286060_5732752963116876058_n 12185565_1729557400619395_4596324725952934028_o 12188879_1729557390619396_449414001379304394_n