Ditën e hënë, datë  05/10/2015 Shkolla e Lartë Private Mesdhetare zhvilloi në ambjentet e Qendrës Kulturorë të Katedrales Ortodokse në Tiranë ceremoninë e diplomimit të studentëve të nivelit Bachelor dhe Master, brezi 2015. Në ceremoni merrnin pjesë përfaqësues të jetës politike, akademike dhe mediatike, studentë dhe prindër. Ceremoninë e përshëndetën edhe Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta dhe zv Kryeministri i Shqipërisë z. Niko Peleshi. Në vazhdim z. Meta dhe z. Peleshi shpërndanë edhe diplomat për studentët e ekselencës.

Në fjalën përshëndetëse themeluesi dhe presidenti i ShLP Mesdhetare të Shqipërisë Prof. Dr. Anastas Angjeli, Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Deputet i Parlamentit të Shqipërisë. Në fjalën e tij Profesor Angjeli ndër të tjerat përmendi se: “Ceremonia e diplomimit në Universitet është një nga ngjarjet më të shënuara dhe që mbeten thellë në kujtesën, jo vetëm të të diplomuarve, por edhe të familjeve të tyre dhe sigurisht edhe të trupës akademike të Universitetit. Diplomimi është kurorëzimi i një përpjekjeje të përbashkët të studentit, familjes dhe trupës akademike. Dhe nga ky proces përfituesi më i madh është vetë shoqëria.  Për këtë arsye cdo diplomim mbart një vlerë që i tejkalon përmasat e një Universiteti.

Periudha në të cilën jetojmë është një periudhë që shënjohet nga zhvillime dinamike në nivel rajonal dhe global, një periudhë ku procesi i globalizimit (ekonomik, politik dhe kulturor) i karakterizuar nga ndërvarësia është në nivele të paeksploruara më parë. Dhe në një botë të tillë ku gjithçka ndryshon më shpejtësi marramëndëse dhe ku sistemet politike, ekonomike dhe sistemet e vlerave janë në një proces reformimi dhe ndryshimi të vazhdueshëm; roli i Universiteteve si qendra të mendimit të lirë dhe kritik merr një rëndësi historike. Nëqoftëse kemi si vizion krijimin e një botë më të mirë dhe më paqësore, e një shoqërie më të drejtë dhe më solidare atëherë hapi i parë drejt këtij vizioni sigurisht që duhet të hidhet nga Universiteti. Ne në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë i qëndrojmë besnikë këtij parimi dhe kësaj filozofie.

Të dashur studentë,

Ju duhet të ndjeheni shumë krenarë që keni qënë studentë të kësaj trupe pedagogësh, personalitete  nga më të shquarit e vendi në fushat përkatëse, me njohje, kontribute e prestigj që i ka kaluar prej kohesh kufijtë e Shqipërisë.

Që sot ju jeni një gjenerate e gatshme, e përgatitur dhe në nivelin e nevojshëm dhe të arrirë për t’ju përgjigjur dhe për tu angazhuar jo thjeshtë dhe vetëm në tregun e punës brenda dhe jashtë vendit-mundësi që diplomimi i sotëm jua krijon, gjë shumë e nevojshme për rininë tonë, por edhe për t’ju përgjigjur në këtë mënyrë, sfidave të zhvillimit dhe integrimit.

Do të doja t’ju rikujtoja edhe një herë diçka shumë të rëndësishme që me siguri pedagogët tuaj jua kanë përmendur nëpër auditorë. Asnjëherë mos mendoni se rruga e mundimshme por e bukur drejt dijes, përfundon me këtë diplomim sot. Ajo rrugë nuk mbaron asnjëherë. Mos e konsideroni këtë ditë të sotme si finish por konsiderojeni si start. Gjithë jeta jonë është një rrugëtim drejt dijes, një rrugëtim pa fund drejt dijes. Më lejoni që sot t’ju uroj edhe një herë rrugëtim të mbarë!”

Në vazhdim rektori i ShLP Mesdhetare Prof. Nexhmi Dumani përshëndeti studentët që u diplomuan. Në ceremoni përshëndetën edhe studentët më të dalluar të gjitha programeve të studimit në nivelin Bachelor dhe Master.

IMG_7537