I nderuar Kryetar i Kuvendit z. Ilir Meta,

I nderuar Zv. Kryeministër z. Niko Peleshi,

Të nderuar deputetë dhe anëtarë të qeverisë,

I nderuar Rektor i Universitetit të Tiranës,

I nderuar Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës,

Të dashur studentë,

Të respektuar prindër,

Të vlerësuar  kolegë,

Të nderuar të ftuar,

Miq, pjesëtarë të familjes së madhe të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë,

 

Ceremonia e diplomimit në Universitet është një nga ngjarjet më të shënuara dhe që mbeten thellë në kujtesën, jo vetëm të të diplomuarve, por edhe të familjeve të tyre dhe sigurisht edhe të trupës akademike të Universitetit. Diplomimi është kurorëzimi i një përpjekjeje të përbashkët të studentit, familjes dhe trupës akademike. Dhe nga ky proces përfituesi më i madh është vetë shoqëria.  Për këtë arsye çdo diplomim mbart një vlerë që i tejkalon përmasat e një Universiteti.

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë  diplomon sot brezin e katërt të studentëve të nivelit Bachelor, në degët e ekonomisë, shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare dhe brezin e tretë të studentëve të nivelit Master.

Gjithashtu sot diplomohen studentë të cilët nuk i filluan studimet pranë Universitetit tonë por që zgjodhën Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë për cilësinë rigorozitetin dhe nivelin e lartë që ofron në të gjitha drejtimet.

Në dispozionin e studentëve, bashkë me infrastrukturën bashkëkohore u vendosën edhe përpjekjet tona, të të gjithë trupës pedagogjike,  për transmetimin e njohurive dhe dijeve  në standarte dhe nivele nga më bashkëkohoret, fal programeve dhe bashkëpunimeve me universitetet më  prestigjoze jo vetëm në rajon, por edhe në vendet evropiane dhe SHBA.

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, në këtë mënyrë,  ju dha mundësinë të gjithë studentëve të fillonin dhe të vazhdonin studimet e tyre dhe të shfaqnin më së miri të gjithë aftësitë e tyre dhe me meritë të arrinin në këtë ditë të diplomimit. Jam thellësisht i emocionuar në këtë moment solemn, natyrisht, edhe shumë krenar.

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Periudha në të cilën jetojmë është një periudhë që shënjohet nga zhvillime dinamike në nivel rajonal dhe global, një periudhë ku procesi i globalizimit (ekonomik, politik dhe kulturor) i karakterizuar nga ndërvarësia është në nivele të paeksploruara më parë. Dhe në një botë të tillë ku gjithçka ndryshon më shpejtësi marramendëse dhe ku sistemet politike, ekonomike dhe sistemet e vlerave janë në një proces reformimi dhe ndryshimi të vazhdueshëm; roli i Universiteteve si qendra të mendimit të lirë dhe kritik merr një rëndësi historike. Nëqoftëse kemi si vizion krijimin e një botë më të mirë dhe më paqësore, e një shoqërie më të drejtë dhe më solidare atëherë hapi i parë drejt këtij vizioni sigurisht që duhet të hidhet nga Universiteti. Ne në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë i qëndrojmë besnikë këtij parimi dhe kësaj filozofie.

 

Të nderuar miq,

Arsimi shqiptar përjeton transformime dhe zhvillime të rëndësishme. Reforma në arsimin e lartë është një nga ato më të rëndësishmet dhe me impakt të drejtpërdrejtë në progresin shoqëror, kulturor dhe ekonomik.  Në këto zhvillime, Universiteti Mesdhetar ka dhënë dhe po jep ndihmesën e vet, duke u bërë promotor i ndryshimeve dhe një qendër reale e ideve të zhvillimit. Kontributi ynë në fushën e kërkimit shkencor dhe  propozimet që kemi bërë për  verifikimin dhe korrigjimin e modelit ekonomik, fuqizimin e financave publike, nxitjen e proceseve bashkëpunuese dhe integruese rajonale dhe evropiane, zhvillimin e bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve ndër-mesdhetare, përmirësimin e politikave e të shërbimeve publike, konsolidimin e sistemit arsimor,  përmirësimin e qeverisjes etj. dhe fuqizimin e shoqërisë dhe të institucioneve demokratike, meritojnë të vlerësohen.

Të nderuar kolegë,

Ju duhet të ndjeheni krenar që sot diplomojmë këtë brez të studentëve. Kurorëzimi i këtij misioni është edhe merita dhe produkti juaj. Unë kam besim të plotë, dhe këtë besim dëshiroj tua transmetoj edhe ju, që studentët e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë do të japin kontributin e tyre në zhvillimin dhe perspektivën e shoqërisë shqiptare. Ne do t’i ndjekim, mbështesim dhe ndajmë me ta përgjegjësitë për perspektivën e tyre.

Të dashur studentë,

Ju duhet të ndjeheni shumë krenarë që keni qenë studentë të kësaj trupe pedagogësh, personalitete  nga më të shquarit e vendi në fushat përkatëse, me njohje, kontribute e prestigj që i ka kaluar prej kohesh kufijtë e Shqipërisë.

Që sot ju jeni një gjenerate e gatshme, e përgatitur dhe në nivelin e nevojshëm dhe të arrirë për t’ju përgjgjur dhe për tu angazhuar jo thjeshtë dhe vetëm në tregun e punës brenda dhe jashtë vendit-mundësi që diplomimi i sotëm jua krijon, gjë shumë e nevojshme për rininë tonë, por edhe për t’ju përgjigjur në këtë mënyrë, sfidave të zhvillimit dhe integrimit.

Do të doja t’ju rikujtoja edhe një herë diçka shumë të rëndësishme që me siguri pedagogët tuaj jua kanë përmendur nëpër auditorë. Asnjëherë mos mendoni se rruga e mundimshme por e bukur drejt dijes, përfundon me këtë diplomim sot. Ajo rrugë nuk mbaron asnjëherë. Mos e konsideroni këtë ditë të sotme si finish por konsiderojeni si start. Gjithë jeta jonë është një rrugëtim drejt dijes, një rrugëtim pa fund drejt dijes. Më lejoni që sot t’ju uroj edhe një herë rrugëtim të mbarë!

Të dashur prindër,

Sot, në një nga ditët më të shënuar për fëmijtë tuaj dhe tanët, dëshiroj t’ju premtoj se ndihma, interesi dhe përkujdesja jonë për ta do të vazhdojë gjatë gjithë shkallëve të  karrierës dhe jetës së tyre.

Të nderuar miq,

Dëshiroj t’ju falenderoj të gjithë për pjesëmarrjen dhe t’ju garantoj se jeni të gjithë një dhuratë e çmuar për Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.

Suksese, studentë të dashur. Urime të gjithëve.

 

Akademik, Prof.Dr. ANASTAS ANGJELI

Tiranë, 5 tetor, 2015

IMG_7598