Intervistë për Ora News, Angjeli: Referendumi i dha Tsipras mandatin për të paraqitur programin

Situata në Greqi me zhvillime intensive minutë pas minute dhe ajo çfarë mund të prodhojë vota JO e referendimit të Greqisë është analizuar në studion e Ora News nga deputeti i Partisë Socialiste, Anastas Angjeli, ish ministër i financave në vendin tonë. Sa mundësi ka që Athina dhe kreditorët ndërkombëtarë të arrjnë një marrëveshje pas referendumit, kur dihet se para tij dështuan katër muaj negociata, Angjeli shprehet:
Anastas Angjeli: “Arsyeja e parë është e padiskutueshme që në bazë të principeve që është ndërtuar BE-ja, Eurozona, monedha Euro, Europës i duhet Greqia, dhe Greqisë i duhet Europa. Faktori i dytë që ndikon është që vajtja e kryeministrit grek në Bruksel pas një mandati referendar dhe pas një konsensusi politik me partitë politike të Greqisë, i ka dhënë atij një mandat shumë për programin që do të paraqesë nesër mbrëma në Eurogrug. Çdo zgjidhje tjetër do ta largonte Greqinë, do zbatonte atë që quhet Grexit”.
Greqia nuk ka likuiditet dhe nëse banka qëndrore europiane ndërpret furnizimin e bankave me para, Greqia përballet me falimentin, por çdo të thotë kjo, ish Ministri i Financave shpjegon.
Anastas Angjeli: “Dy rrugë ka. Ose Banka Qëndrore, me vendimin e nesërm dhe të pasnesërm do marrë një vendim që mos ndërpresë furnizimin e bankave greke me likuiditet në kufitë e emergjencës sa për të përballuar situatën ose Greqia do ta ndjejë veten në Grexit dhe do të jetë e detyruar të emetojë monedhën tjetër. Kushdo qoftë ajo, një monedhë paralele greke, “greeuro” apo një monedhë, dhrahmi për të përballuar këtë situatë”.
Duke theksuar se Greqia është tashmë në krizë sociale, ekonomike dhe politike, Anastas Angjeli deklaroi se të paktën kjo krizë nuk do të prekë sistemin tonë bankar, po nuk përjashtoi sektorët e tjerë. Ai tha se veçanërisht eskport-importi dhe investimet e huaja tashmë janë prekur dhe do të vijojnë të vuajnë pasojat e krizës së gjatë greke.

untitled

Intervistë në Ora News 06.07.2015