Ish ministri i Financave Anastas Angjeli mendon se vota “Jo” në referendum nuk e nxjerr Greqinë nga Eurozona. Sipas tij, qeveria greke dhe ndërkombëtarët do të arrijnë në kompromis për zgjidhjen e krizës.

“Unë besoj se do të ketë një kompromis me lëshime jo të karakterit ashtu siç mund ta mendojnë që tani nuk do të ketë më masa, por me lëshime dhe spostime në kohë që do t’i japin mundësi qeverisë që të ketë një frymëmarrje dhe të rifillojë reformat për t’iu përgjigjur kërkesave të Brukselit”, thotë Anastas Angjeli.

Por edhe pse beson në arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë, Angjeli thotë se ky muaj do të jetë vendimtar, jo vetëm për Greqinë por edhe për Eurozonën dhe Shqipërinë. Sipas tij, edhe pse sistemi bankar nuk ka asnjë rrezik, ekonomia jonë do të vijojë të jetë e prekur në drejtime të tjera.

“Eksport-importi do të jetë ende i ndikuar. Patjetër që disa lloj biznesesh që janë shtrirë në Shqipërinë juglindore, si fasonet apo biznese të tjera që janë të lidhura drejt për drejtë me llogaritë bankare në sistemin bankar grek në Greqi dhe jo këtu, do të jenë të prekura ”, vijon Angjeli.

Një tjetër rrezik për ekonominë shqiptare mbetet rënia e investimeve nga Greqia, por pikëpyetja më e madhe është ajo që lidhet me pasojat që kriza do të ketë mbi emigrantët.

“Do u drejtohen tregjeve të punës të vendeve të tjera evropiane dhe një pjesë e tyre do të kthehen në Shqipëri, çka do të na krijojë një problem i cili, jam i sigurtë që qeveria ka marrë masa dhe po merr masa për ta menaxhuar atë. Më në fund është çështja që ka të bëjë me remitancat ”, thotë Angjeli.

Një ditë më parë përmes një votë dërrmuese qytetarët grekë i refuzuan kushtet financiare të vendosura nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

anastas-angjeli

Top Channel 06.07.2015