Pasojat e referendumit do të jenë të rënda për të dyja rastet për Greqinë, por e keqja më e vogël është pranimi kërkesave të kreditorëve dhe Eurogrupit, pra një votë “Po” nga populli grek.
Deputeti i Partisë Socialiste, njëkohësisht ekspert i fushës, Anastas Angjeli analizon të ardhmen e shtetit fqinj pas përfundimit të referendumit.
“Kjo është situata më kritike që po kalon Greqia, politikisht, ekonomikisht, por dhe nga ana
sociale. Pasojat edhe pse të ndryshme, do të jenë të rënda për Greqinë. Nëse fiton varianti që nuk pranohen masat e kreditorëve dhe të Eurogrupit, një variant është që qeveria aktuale rimerr një mandat, një mbështetje nga populli për të mos pranuar atë që kreditorët i kanë kërkuar, pra merr një licensë të re për të rinegociuar marrëveshjen. Por nuk dihet se çfarë qendrimi do mbajë Eurogrupi, i cili me dëshirën për ti dhënë zgjidhje situatës mund të ulet të rinegociojë. Varianti i dytë është që edhe pse merr nje mandat Eurogrupi mund të insistojë në të njëjtat masa, e cila e çon edhe më ekstreme situatën në Greqi, ku del në skemë ajo që quhet Grexit, ku Greqia del nga euro, por jo nga Europa. Kjo quhet falimentim i kontrolluar i shtetit. Në këtë rast padyshim që pasojat për ekonominë greke janë të mëdha. Kjo do të bëjë që të preken disa vende të Europës dhe Eurogurpit nuk i intereson kjo gjë, pasi euro do të marrë goditje dhe dollari do forcohet”.
Sipas Angjelit Gjëja më e mirë që duhet bërë është të arrihet një kompromis që të afrojë më shumë planin e kreditorëve me planin e qeverisë, që Greqia të mos dalë nga euro dhe të vazhdohet me reformat. Ndërsa komenton edhe ndikimin e kësaj situate në vendin tonë, Angjeli thekson se pasojat më të mëdha do jenë tek shkëmbimet tregtare dhe emigrantët.
“Përsa i përket sistemit bankar, Shqipëria është mbrojtur, pasojat janë minimale, pasi sitemi ynë bankar është i konsoliduar. Por ndikime direkte dhe indirekte të vogla ka”.
Nëse populli grek vendos ti thotë “Jo” referendumit, ndikimi do të jetë i madh edhe në disa vende të tjera të Europës, të cilat kanë shkëmbime të larta tregtare me Greqinë, ndërsa Euogrupi duket se po përgatitet për të dyja skenarët.

11698853_1682809671960835_4824740955778631175_n

Intervista Scan Tv 05.07.2015