Kriza greke dhe momenti i vështirë ku ndodhet fqinji ynë Greqia nuk mund të kalojë pa panik edhe në Shqipëri. Por sa i madh është ndikimi i krizës greke dhe a duhet të kenë frikë shqiptarët për depozitat e tyre në bankat greke? Ish-ministri i Financave, Anastas Angjeli në një intervistë për News24 ka siguruar qytetarët shqiptarë se kjo krizë nuk do të prekë depozitat e tyre, pasi sistemi bankar shqiptar është i konsoliduar. Ai përmendi edhe ndryshimet që janë bërë në legjislacionin shqiptar në vitin 2010 për anën institucionale të funksionimit të bankave greke në vendit tonë, gjë e cila sipas tij plotëson kuadrin e një sistemi bankar të sigurt.
Ndërkohë Angjeli, tha se referendumi që do të mbahet në Greqi të dielën, është kthim pas në kohë, duke theksuar se Greqisë i duhet Europa dhe Europës i duhet Greqia.

“Kriza në Greqi ka arritur kulmin. Pavarësisht negociatave, nuk u arrit marrëveshje, çka solli edhe vendimin për referendum. Ndërkohë Obama ka telefonuar kancelaren Merkel. Ajo është duke zhvilluar negociata, gjithmonë me filozofinë për të gjetur një kompromis. Por gjithnjë kompromisi ka dy anë, është edhe pala greke që ka thirrur referendum. Ne duhet të shikojmë përtej këtyre dy alternativave që qeveria greke do që të largohet dhe Europa apo do që ta largojë. Çështja nuk është kaq e thjeshtë. Duhet parë përtej kësaj, me sy evropian. Ajo që është e rëndësishme është se Greqisë i duhet Europa dhe Europës i duhet Greqia. Procesi është progresiv dhe pozitivist. Prandaj dhe përpjekjet e Europës kanë qenë maksimale për të arritur një kompromis”, tha Angjeli.

Lidhur me masat masat e ndërmarra që prej fillimit të krizës në Greqi dhe rezultatin e tyre, Angjeli theksoi se në 3 vitet e fundit ka një stopim të të gjitha reformave. Ai shtoi se disa reforma duhet të ishin bërë prej kohësh.

“Analiza duhet të jetë e dyfishtë. Duhet të analizojmë masat e propozuara dhe ato të zbatuara. Këto 3 vitet e fundit kemi një stopim të të gjitha reformave. Dhe vajtja në referendum na kthen pas. Se për këtë referendum u fol dhe nga qeveria Papandreu. Po të shikosh masat, disa reforma duhet të ishin bërë prej kohësh në Greqi. Aq më tepër po të shikosh reformat e fundit që propozon Eurogrupi dhe kreditorët me masat e qeverisë. Gjetja e kompromisit mes masave do të ishte zgjidhja më e mirë”, u shpreh ish-ministri i Financave.

Ndërkohë Angjeli siguroi depozituesit shqiptarë se influenca e krizës greke dhe nga parashikimet është e pakonsiderueshme, pasi sistemi bankar shqiptar është një sistem bankar tërësisht i konsoliduar dhe pa përfillje ndaj bankave greke në Shqipëri. Sigurisht Angjeli nënvizoi faktin se Ballkani duhet ti marrë seriozisht paralajmërimet e Standard and Poors (S&P).

“Paralajmërimi i S&P, është paralajmërim i një institucioni prestigjioz dhe shtetet e Ballkanit duhet ta konsiderojnë dhe ta marrin me seriozitet zhvillimin e ngjarjeve në Greqi dhe të krizës greke. Janë 5 drejtime ku ne konsideroheshim të ekspozuar ndaj krizës greke. Çështja e parë, më e ndjeshme, dua të garantoj dhe siguroj në bazë edhe të përvojës në këtë drejtim, influenca e krizës greke dhe nga parashikimet është e pakonsiderueshme. Së pari sistemi bankar shqiptar është një sistem bankar tërësisht i konsoliduar dhe papërfillje ndaj bankave greke në Shqipëri. Sepse zotërojnë 16% të depozitave të kursimit, zotërojnë 17 % të totalit të kredisë. Në 2010 ne përmirësuam legjislacionin tonë për anën institucionale të funksionimit të bankave greke për ti konsideruar ato filiale në Shqipëri, duke plotësuar kuadrin e asaj që sistemi ynë financiar është i sigurt. Dua ti garantoj qytetarët shqiptarë, depozituesit shqiptarë që nga ky këndvështrim të jenë të sigurt, të jenë të qartë”, deklaroi Angjeli.

Eksperti i ekonomisë tha se ndikimi i krizës greke mund të shihet tek marrëdhëniet tregtare, investimet dhe emigrantët.
“Kriza është shumë afër, alarmi është i madh në vendin tonë, se efektet do të jenë mbi sistemin tonë bankar. Por natyrisht ekonomia jonë shqiptare është shumë e lidhur me ekonominë greke, në tregti, eksport-import, investime dhe emigrantët dhe të ardhurat nga remitancat. këto janë faktorë shumë të rëndësishëm. Por që kur filloi kriza greke, Greqia nga vendi i parë që ishte në marrëdhënie tregtare me Shqipërinë ka kaluar në vend të tretë. Edhe pse kemi këto shifra, ndikimi duket se do të jetë më i vogël. Ne mund të shikojmë edhe anën pozitive nga këndvështrimi i Shqipërisë për të përfituar për sa i përket këmbimeve tregtare. Çështja e dytë, pas sistemit bankar janë investimet e huaja. Këtu kemi 2 këndvështrimi. I pari është që mund të ndikohet që investitorët grekë në Shqipëri për shkak të situatës të jenë pak më të kufizuar në veprimet e tyre. Por duhet parë edhe ana pozitive që investitorët grekë mund të fluturojnë në vendet e tjera fqinje dhe Shqipëria është vendi më i afërt. Çështja e tretë po kaq e prekshme dhe e rëndësishme është çështja që ka të bëjë me emigrantët shqiptarë. Thellimi i krizës godet emigrantët së pari nga papunësia dhe nga kjo pikëpamje mund të goditen përsëri. Kjo mund të krijojë një fluks emigrantësh nga Greqia në Shqipëri por edhe këtu kemi përvojë, pasi disa vite më parë pati fluks. Këndvështrimi i dytë ka të bëjë më remitancat. Pakësimi i tyre”, shpjegoi Angjeli.

Nga ana tjetër ish-ministri i Financave Angjeli theksoi se mbyllja këtë të hënë e bursave dhe bankave në Greqi ka ndikuar në bursat në të gjithë botën. “Ajo që është me dukshme është që deri tani ekziston një mbrojte. Edhe vetë Greqia po merr masa. Mbyllja e bursave për një javë në Greqi ka shënuar rënie në të gjitha bursat nga një ekstrem i botës në një tjetër. Përpjetët e Eurogrupit për të arritur një kompromis do jenë maksimale.”, pohoi Angjeli.

Ndërkohë, Angjeli bëri me dije se personalitetet e larta të BE-së nuk kanë folur për një dalje të mundshme të Greqisë nga Eurozona.

“Pavarësisht se nga çfarë po ndodh, deklaratat e personalieve të BE ishin se nuk kishin një version Gerkexit. Por jemi përballë referendumit dhe atë e ka në dorë populli grek. Është një kapitull i ri që lidhet me dy çështje. Është kapitull ri dhe jo përvojë e re. Ka ndodhur një falimentin i kontrolluar i shtetit. Nga ana tjetër kemi një status të ri të falimentimit të kontrolluar të shtetit dhe rifillim të zhvillimit ekonomik për disa vite. Çështja e borxhit do të jetë e ripozicionuar në kushte të tjera.”, përfundoi Anastas Angjeli.

AA

Intervista e dt.29.06.2015 në News 24.