Ditën e shtunë 14 mars 2015 në ambientet e Tirana International Hotel u zhvillua Seanca Plenare e Konferencës Ndërkombëtare Shkencore  “South East Europe as a Common Market” e organizuar nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe Unioni i Universiteteve Euroaziatike EURAS.

Në Seancën Plenare merrnin pjesë përfaqësues të botës akademike, politike, diplomatike, të medias etj.

Fjalën hapëse te Konferencës e mbajti Prof. Dr. Anastas Angjeli i cili vuri në dukje rëndësinë që debati publik shkencor akademik dhe profesional ka për çështje të rëndësishme për të ardhmen e një vendi dhe të një rajoni si dhe për bashkëpunimin dhe integrimin rajonal.  Sot më shumë se në çdo periudhë tjetër ky dialog dhe debat, është jo vetëm një detyrim qytetar e profesional për të gjithë komunitetin akademik e shkencor por edhe një domosdoshmëri, nevojë dhe kusht i zhvillimit dhe i progresit.

Seancën Plenare të Konferencës e përshëndeti Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama.

Në Sesionin e parë të Seancës Plenare referoi Presidenti i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve Prof. Dr. Felix Unger, Presidenti i EURAS Prof. Dr. Mustafa Aydin si dhe Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Prof. Dr. Muzafer Korkuti.

Në dy sesionet e tjera të Seancës Plenare referuan Profesorë nga Universitete të ndryshme të rajonit, të Evropës dhe të Azisë.

Konferenca në seancën plenare dhe në sesionet tematike analizon realitetin ekonomik, politik, social të rajonit të Evropës Juglindore, e parë nga një këndvështrim rajonal dhe jo kombëtar. Konferenca trajton situatën ekonomike e financiare të rajonit kushtet e periudhës së post krizës globale në përgjithësi dhe asaj të Eurozonës në veçanti, sfidat aktuale dhe të së ardhmes, perspektivën e zhvillimit të rajonit në këndvështrimet e reja ekonomike si dhe perspektivën evropiane të vendeve që nuk janë ende anëtare të Bashkimit Evropian.

Në Konferencë trajtohen raste nga të gjitha vendet e rajonit, dhe krahasohen përvojat kombëtare dhe do të jepen rekomandime për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik rajonal, për rritjen e shkëmbimeve tregëtare ndërmjet vendeve të rajonit si dhe për intensifikimin e dialogut politik dhe social ndërmjet vendeve të rajonit.

Në ditën e dytë të Konferencës, në ambientet e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë u zhvilluan ne Sesione te ndryshme tematike referimet e temave te përzgjedhura nga komisioni shkencor i Konferencës.

 

ROL_1017