I nderuar shkëlqesia e tij Zoti Kryeministër Edi Rama

I nderuar z.Felix Unger, President i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve,

I nderuar z.Mustafa Ajdin, President i Unionit të Universiteteve Euro-aziatike EURAS,

I nderuar z.Muzafer Kerkuti, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë,

I nderuar z. Joseph Mifsud, Drejtor i London Academy of Diplomacy

E nderuar znj. Cristiana Cristureanu, zv Rektore e Dimitrie Cantemir Christian University

I nderuar z. Abdelhamid El-Zoheiry, President i EMUNI

Të nderuar znj dhe z.Ministra, deputetë, diplomate, zotërinj akademike,profesore, rektorë,perfaqesues te shoqerise civile dhe te komunitetit te biznesit, kolegë, miq dhe të ftuar.

Ju uroj mirëseardhjen në Seancën plenare të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “South East Europe as a Common Market” të organizuar nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe rrjeti ndërkombëtar i Universiteteve EURAS.

Që në krye te fjales  do të nëvizojë se bashkëpunimi më i mirë në rajonin tonë dhe më gjërë vjen nga mendimi dhe zhvillimi, vjenë nga idetë.Vetë Bashkimi Europian u ideua u ngrit, përparoi, zhvillohet dhe sfidon në botën globale duke e kërkuar gjetur dhe ushqyer zhvillimin nga idetë progresive, nga moderniteti real dhe i prekshëm, nga zhvillimi ekonomik, financiar bankarë dhe monetarë, nga zhillimi kulturor dhe edukimi i pandërprerë. Sot jemi këtu profesorë, akademikë, politikanë, ligjëvënës, kërkues të rinjë, me një qëllim shumë sublimë, për të treguar se jemi nga kahu i zhvillimit, progresit, prosperitetit dhe shëndoshjes së shoqërive tona bazuar tek dituria, tek pjelloria e mendimit.

Debati publik shkencor akademik dhe profesional për çështje të rëndësishme për të ardhmen e një vendi dhe të një rajoni si dhe për bashkëpunimin dhe integrimin rajonal, sot më shumë se në çdo periudhë tjetër është jo vetëm një detyrim qytetar e profesional për të gjithë komunitetin akademik e shkencor por edhe një domosdoshmëri, nevojë dhe kusht i zhvillimit dhe i progresit.

Ky është parimi që udhëheq filozofinë e punës së Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë që nga themelimi i tij.

Konferencat shkencore të këtyre përmësave janë ngjarje për vendin tonë, për rajonin por edhe për Europën. Shkëmbimi i hapur i mendimeve, ballafaqimi debatues, kundërshtimi me argumente, dhe gjetja e qasjeve komplementare; do të na shpien në parashtrimin e problematikave vendore dhe rajonale, në ravijizmin e zgjidhjeve të mundëshme, por edhe në gjetjen e rrugëve të bashkëpunimit për ndërtimin e  një sinergjie institucionale rajonale dhe partneriteti më të gjërë  Europian., etj. Në këtë nismë për organizimin e kësaj konference shkencore ne bashkëpunim me EURAS, rrjeti i Universiteteve Euroaziatike, janë përfshirë një numër i madh Universitetesh të vendit tonë, rajonit të Ballkanit, Evropës, Euro-Mesdheut dhe të Azisë. Pra një rrjetë i gjerë akademikë e shkencorë, me dëshirën dhe vullnetin për të bashkëpunuar në dobi të zhvillimit dhe të integrimit të rajonin tonë në BE. I falënderojmë për bashkëorganizimin e kësaj konference dhe për bashkëpunimin tonë të frytshëm dhe për kontributin e tyre në punimet e ditës së sotme dhe nesërme, në funksion të qëllimit të kësaj konference. .

Të nderuar pjesëmarrës,

Le të hyjmë në zemër të problemit..

Qëllimi i konferencës është të vëmë në dukje ato karakteristika që na bashkojnë dhe mbi të cilat mund të thellojmë bashkëpunimin tonë, gjithmonë duke pasur parasysh se destinacioni ynë i përbashkët është Bashkimi Evropian.  Njëkohësisht qëllimi i gjithë pjesëmarrësve dhe referuesve është edhe evidentimi i problematikave si dhe propozimi i përmirësimeve të mundshme me synim final thellimin e integrimit dhe bashkëpunimit rajonal. Zhvillimi në shoqërinë e sotme globale nuk mund të vij nga qasjet e mbyllura lokale por nga unitet e bashkëpunimit, ku ndërtohet “inteligjenca kolektive” dhe ku evidentohen prirjet e zhvillimit afatmesëm dhe afatgjatë. Horizontet fillimisht kapen nga idetë progresive pastaj maten me hapat e stradegjive të zhvillimit.Pa ide të tilla ska zhvillim..

Zhvillimin politik të demokracive tona të gjitha vendet e rajonit e realizuan veç e veç. Le të punojmë që integrimin ta zhvillojmë së bashku. Le të rikthejmë kujtesën tonë  në vitin 1948 kur për herë të parë Churchill  paraqiti në kongresin evropian vizionin e tij për Evropën duke hedhur tezën: ”Këtu (në Evropë) secili duhet ta ndjejë veten si në shtëpinë e tij”  Ky është një qëllim madhor për të cilin mendimi i botës akademike duhet te kontribuojë dhe të  mbështesë dhe klasën politike të vendeve tona.

Tematika kryesore e Konferencës do të mbështetet në analizën e realitetit ekonomik, politik, social, universitar, dhe demokracisë institucionale të rajonit të Europës Juglindore. Këndvështrimi është jo thjesht kombëtar, por edhe rajonal.  Konferenca gjatë dy ditëve të punimeve  do të trajtojë çështje që lidhen me situatën ekonomike e financiare të rajonit ne kushtet e periudhës së postkrizës globale në përgjithësi dhe asaj të Eurozonës në veçanti. Do hidhet më shumë dritë mbi sfidat aktuale dhe ato të së ardhmes. Do të ndriçohet perspektiva e rajonit në këndvështrimet e reja ekonomike si dhe perspektivën e tij europiane. Kemi nevojë për një përqasje më vizionare për të ardhmen e tregut tonë rajonal dhe rrugën e përbashkët drejt Bashkimit Evropian. Ekonomitë e vendeve tona kanë nevojë të bashkpunojne por edhe te specializohen të diversifikohen në ato fusha ku çdo vend mund të japë më shumë, kjo është rruga më e mirë për të kontribuar edhe për ekonominë e Bashkimit Evropian.  Duhet mbajtur në fokus si Rajon, se ekonomi e zhvilluar do të thotë më shumë stabilitet, arsimi modern siguron  më shumë perspektivë europiane dhe zhvillim më harmonik në aspektin gjeosocial, më shumë kërkim shkencorë e teknologjik në shoqëritë ton,a më shumë prosperitet social dhe individua do të kemi.

Urat e bashkëpunimit po zgjerohen gjithnjë e më shumë jo vetëm me marrëveshjet e tregtisë së lire dhe të asaj CEFTA, por edhe nga thellimi i zgjerimit të lirive ekonomike dhe të reformave strukturore,nga zbatimi i projekteve konkrete te perbashketa,nga zgjerimi i mëtejshëm i rrjeteve  infrastrukturore rrugore të cilat duhet të marrin një zhvillim edhe më të madh. Ky bashkëpunim nuk do të kishte kuptim pa zhvillimin dhe mirëfunksionimin e tregut energjetik rajonal, të tregut të punës,bashkimeve doganore dhe harmonizimit fiskal. etj.. A mund të kemi një bashkëpunim të frytshëm ekonomik pa forcuar bashkëpunimin në fushën e arsimit, kërkimit shkencor, inovacionit, teknologjisë së informacionit? Teknologjitë e reja  inovacioni gjithmonë e më shumë po luajnë një rol thelbësor në zhvillimin ekonomik të vendeve dhe të rajoneve.. Prandaj kërkohet bashkëpunim më i ngushtë në fushën e shkencës-teknologjisë-inovacinit teknik. Teknologjitë e reja janë ngushtësisht të lidhura me një sistem arsimor cilësor dhe bashkëkohor. Roli i brezave të rinj të arsimuar në mënyrë cilësore është thelbësor në rritjen ekonomike të një vendi dhe të një rajoni. Në këtë kontekst vazhdimi dhe thellimi i reformave të ndërmarra nga të gjithë vendet e rajonit në fushën e arsimit, dhe sidomos arsimit të lartë, luajnë rolin kryesor dhe rrisin ndikimin e kontributit të arsimit të lartë në zhvillimin ekonomik. Vendi ynë është përfshirë në një diskutim të gjerë, mbarëkombëtar për realizimin e një reforme tërësore, efikase e të dobishme të arsimit në përgjithësi, profesional dhe atij të lartë në veçanti. Në thelb të reforimit të sistemeve tona të arsimit të lartë do duhet të jetë ai që quhet “Curricular Revolution”. Revolucioni kurrikular. I varfër nuk është ai vend apo ai rajon që ka nivel të ulët ekonomik, pasi kjo gjendje përmirësohet hap pas hapi. I varfër është ai vend apo ai rajon që nuk e ndryshon korpusin e ideve, nuk e përmirëson mentalitetin dhe nuk futet me kurajo njerëzore dhe institucionale në rinovimin e mendimit shkencorë. Kjo është sfida e shoqërive tona.

Të nderuar pjesëmarrës,

Pas 6-7 viteve të krizës së thellë globale dhe në eurozonë, premisat për rimëkëmbje janë më reale se kurrë megjithëse rreziqet ekzistojnë ende. reformat e ndërmarra nga vendet anëtare por edhe nga bashkimi evropian po  japin efekte pozitive për sa i përket uljes së deficiteve, borxhit publik dhe stabilizimit financiar, por tashmë fokusi po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike, shërimit të papunësisë sidomos tek të rinjtë dhe plagëve të tjera sociale. Çfarë masash duhen marrë per kete qellim? A ishte rruga e masave shtrënguese ajo e duhura? Çfarë duhet bërë me qëllim që ritmet e rritjes ekonomike të rriten dhe të gjenerohen vende të reja pune? Po vendet e Evropës Juglindore si u përballën me krizën dhe a po ndërmarrin reformat e duhura?

Me tej. Nuk do te mbeten jashtë debatit shkencor çështjet dhe prioritetet që lidhen me sfidat me të cilat përballen vendet e rajonit, si vende kandidate  për në BE, (siç është rasti i vendit tonë me pesë prioritete e veta, reforma në administratën publike, reforma në sistemin e drejtësisë, lufta ndaj korrupsionit, të drejtat e njeriut duke përfshirë të drejtën e pronës).E pra, cdo reformë, çdo politikë e ndërmarrë nga BE ka rëndësi direkte edhe për rajonin e Evropës Juglindore, ashtu siç dhe reformat e suksesshme  në vendet tona, kanë rëndësi  për të ardhmen e vendeve të rajonit tonë dhe të vetë BE-së. Unë jam i bindur se debati dhe mendimet e kësaj konference do të jenë një vlerë e shtuar, plotë dobi, në rrugën tonë evropiane.

Të nderuar pjesëmarrës,

Konferenca në këtë sesion plenar do të mirëpresë diskutime dhe ndërhyrje nga ju të pranishëm që na nderuat sot me pjesëmarrjen tuaj në këtë konference dhe do të jetë e hapur për pyetje të ndryshme nga të pranishmit dhe përfaqësuesit e medias.

Duke ju falënderuar edhe një herë të gjithëve për pjesëmarrjen dhe kontributin tuaj të vyer dhe duke i uruar punë të mbarë konferencës, më lejoni të ftoj dhe ti jap fjalën, Shkëlqesisë së tij,  Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama.

Faleminderit!

Fjala për ju z. Kryeministër.

 

Tirane,14 Mars 2014.

Fjala ne Konferencën Ndërkombëtare:

“South East Europe as a Common Market”

INTEGRIMI –SFIDA JONE

Akademik,Prof.Anastas Angjeli.

ROL_0929 (2)