Pas një maratone dialogimi dhe negociatash mes qeverisë së re greke dhe Eurogrupit, erdhi dhe vendimi: Eurogrupi i shtyu Greqisë borxhin (MFAFA-në) për katër muaj dhe jo për gjashtë muaj, siç u “reduktua” më në fund kërkesa e saj. Komentet dhe analizat janë të shumta. A fitoi diçka Greqia? Apo vetëm një fitore në kohë? Po Eurozona?A u zgjidh kriza? Ndërkohë që vetë kryeministri Tsipras e konsideroi atë vetëm një betejë të fituar në luftën antikrizë… Po si erdhëm deri këtu?

SYRIZA NE PUSHTET

Greqia e përpëlitur në “ethet e krizës” që pas vitit 2008, në përpjekje mes realizimit të reformave dhe masave të ashpra dhe reagimit të fortë popullor e social, përfundoi në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme, që sollën në pushtet SYRIZA-n, të drejtuar nga Alexis Tsipras. Po çfarë është SYRIZA?

Partia SYRIZA, e themeluar fillimisht si një koalicion i partive të majta dhe të majta radikale në vitin 2004 (por rrënjët e saj gjenden që në vitin 2001 – bile dhe akoma më përpara, në vitin 1991, si një bashkëpunim dhe dialog i vazhdueshëm i një sërë partish dhe organizatash të majta), përfshinte fillimisht një gamë të gjerë partish (13) si dhe politikanësh të pavarur. Ndër partitë kryesore që formonin SYRIZA-n mund të përmendim: Synaspismos, Komunistët e Reformuar të së Majtës Ekologjike, Punëtorët Internacionalistë të së Majtës, Lëvizjen për Bashkimin e Veprimit të Majtë etj.

Në Kongresin e mbajtur në qershor të 2013-ës u morën vendime të rëndësishme. Më kryesori ndër to ishte vendimi për të shpërbërë partitë që formonin koalicionin dhe për të formuar një parti të vetme. Partive përbërëse iu lanë 3 muaj kohë për t’u shpërbërë. Alexis Tsipras, 41 vjeç, diplomuar për inxhinieri në Politeknikun e Athinës, u rizgjodh kryetari i partisë me 74% të votave. Që në fillim të rinisë së tij është një aktivist i së majtës dhe që pas zgjedhjeve të 2012-ës aktiviteti i tij në skenën e së majtës greke, pse jo edhe evropiane, është forcuar shumë. Gjatë vitit të fundit (përpara zgjedhjeve) zhvilloi një sërë takimesh nëpër kryeqytetet evropiane, me qëllim krijimin e një imazhi proevropian.

Nga pikëpamja e ideologjisë politike, koalicioni përfshinte qëndrime që nga ato të demokracisë sociale, ambientalizmit, eurokomunizmit, deri te maoizmi dhe trockizmi. Nga maji i 2012-ës kur SYRIZA fitoi 27% të elektoratit grek dhe mori 71 vende në parlament, u shndërrua në partinë kryesore opozitare dhe qëndrimet e saj u zhvendosën sadopak drejt qendrës së majtë, por duke mos humbur për asnjë moment karakterin radikal. Gjatë fushatës së parafundit (2012), SYRIZA u pozicionua qartë kundër memorandumit të vendosur nga Trojka, kundër masave shtrënguese, kundër shkurtimeve drastike në buxhet, pro masave zhvilluese dhe, me gjithë disa ngurrime, pro qëndrimit në Eurozonë. Në fushatën e fundit u deklarua qartë: SYRIZA nuk është për daljen as nga BE-ja dhe as nga EURO.
Gjatë fushatës së fundit elektorale shkalla e populizmit në debatin politik grek arriti nivele shumë të larta. SYRIZA premtoi një sërë masash, të cilat objektivisht është shumë e vështirë të realizohen, duke pasur parasysh gjendjen kritike të financave publike, të ekonomisë si dhe momentin jo të favorshëm në BE. Ja disa këndvështrime të ndryshme mbi premtimet e SYRIZA-s. Shpeshherë nga një pjesë e mediave ndërkombëtare dhe nga establishmenti politik ekonomik ndërkombëtar ato karakterizohen si ekstreme. Në anën tjetër, janë ata që i konsiderojnë qëndrimet si progresiste dhe si një rrjedhojë logjike e masave të rrepta shtrënguese që po dëmtojnë shtetin social, po falimentojnë shtresën e mesme, rritën papunësinë etj.
Disa çështje të propaganduara në fusha të ndryshme u reflektuan edhe në programin qeverisës, në të cilin spikasnin edhe disa kërkesa që lidhen kryesisht me anën ekonomike, si:
1) Rinegocim i kushteve të borxhit (zgjatja e kohës së pagimit të tyre).
2) Mbledhja e një Asambleje Panevropiane për rinegocimin e borxhit. (Në tërësi, jo vetëm për Greqinë.) Kjo kërkesë duket se nuk gjeti mbështetje në arenën evropiane dhe duket se qeveria e re greke është tërhequr (të paktën për momentin).
3) Vendosja e një klauzole që një pjesë të ardhurave qeveritare (që tani shkojnë thuajse tërësisht për pagimin e borxhit) të përdoren për t’u riinvestuar në ekonomi me qëllim rritjen e zhvillimit. Pra, nga suficiti primar prej 4.5% që parashikohet për vitin e ardhshëm, 1.5% të përdoret për shërbimin e borxhit dhe pjesa tjetër për rivitalizimin e ekonomisë.
4) Rritje e taksave për kompanitë e mëdha.
5) Taksë e re për transaksionet financiare dhe për mallrat e luksit.
6) Heqja e privilegjeve të kishës dhe të industrisë së ndërtimit të anijeve (industria më e madhe në vend).
7) Përdorimi i ndërtesave qeveritare, të bankave dhe të kishës në shërbim të të pastrehëve.
8) Shërbim shëndetësor falas për të papunët. Kompensim i faturave të energjisë elektrike për qytetarët që nuk kanë mundësi të paguajnë.

BETEJA DIPLOMATIKE – NE QENDER EKONOMIA
Gjatë muajit të parë të jetës së qeverisë së re greke, takimet diplomatike dypalëshe të kryeministrit Tsipras dhe ministrit të Financave, Varoufakis kanë qenë të shumta në kryeqytetet kryesore evropiane. Me gjithë kërkesat e programit të mësipërm, duket se më në fund, për momentin, ato u reduktuan në kërkesën për një shtyrje prej gjashtë muajsh të MFAFA (Master Financial Assistence Agreement), përgjatë së cilës Greqia do të bashkëpunojë me partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë me qëllim përmbushjen e detyrimeve. Përpara vendimit të mbledhjes së fundit të Eurogrupit, mesazhet ardhur nga takimet, negociatat dhe dialogimet kanë qenë të ndryshme, mikse, deri në “alarmante”. Nuk ngurruan të riviheshin në “skenë” skenarët e daljes së Greqisë nga eurozona, “Greqia dhe Ballkani në qendër të krizës” (ndërkaq që vendosmëria e vendeve të Ballkanit drejt Europës është e qartë si drita e diellit), dhe analistë të tjerë iu kthyen dilemës “Krizë e Greqisë apo e Europës?”. Ndoshta u desh, një qëndrim i ekuilibruar, më fleksibël, nga aktorë të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë, në raport me “konseguencën gjermane”, që kjo çështje të merrte një shtysë të re. Kështu, presidenti Barak Obama, në deklaratat e tij u shpreh se nuk është e arsyeshme që vende që kanë vuajtur kaq shumë, si Greqia, të vazhdohet të shtrydhen, dhe se ka ardhur koha që t’u jepet përparësi politikave zhvilluese dhe jo atyre të shtrëngimit. Edhe FMN-ja nga ana e saj është treguar e gatshme të diskutojë me qeverinë e re greke dhe ndoshta edhe të rinegociojë.

Por edhe nobelistët P. Krugman dhe J. Stiglitz, dhe disa intelektualë (kryesisht të fushës së ekonomisë) kanë dhënë një mbështetje, edhe pse indirekte, të disa tezave të qeverisë së re greke, sidomos lidhur me përdorimin e një pjese të suficitit primar për rigjallërimin e ekonomisë. Mbase të gjitha këto i dhanë “edhe një dorë tjetër në fitim të kohës” Greqisë.

VENDIMI I EUROGRUPIT – NJE MARREVESHJE ME SHUME POLITIKE SE

EKONOMIKE
(Në pritje të programit të reformave)

Gjatë seancës-maratonë të Eurogrupit u arrit një marrëveshje e cila u pranua dhe në fund të seancës u publikua deklarata zyrtare. U ra dakord që MFAFA të shtyhet për 4 muaj (dhe jo 6 siç kishin kërkuar autoritetet greke; në fund të muajit shkurt skadonte afati i tranzhit të radhës së borxhit). Të hënën pritet që qeveria greke t’i paraqesë Eurogrupit një set paraprak të reformave që parashikon të marrë, me qëllim përmbushjen e detyrimeve që ka për pagimin e borxhit.
Deklarata zyrtare është një tekst shumë formal (sigurisht, më shumë politik se ekonomik), por që në një farë mënyre e lejon qeverinë greke “të marrë frymë”, siguron likuiditet për bankat greke (shuma prej 10.9 miliardë eurosh nga EFSF të parashikuara për rikapitalizimin e bankave greke, i kthehet fondit, por janë në dispozicion të bankave greke n.q.se një gjë e tillë është e nevojshme), dhe nga ana tjetër siguron partnerët ndërkombëtarë (BE, BQE, FMN) se Greqia do t’i respektojë kreditorët. Në deklaratën zyrtare nuk përmendet termi “Trojka” dhe zëvendësohet me termin “institucionet”. Sidoqoftë, do të jenë këto institucione që do të japin një vlerësim në fund të prillit. Për sa i përket suficitit primar për vitin 2015, në deklaratë thuhet se do të merren parasysh kushtet reale të ekonomisë për këtë vit. Gjë që nënkupton se mund të jetë më i ulët se ai i parashikuari.

Sidoqoftë, vlen të theksohet se për qeverinë e re greke “loja mbaroi”, tani fillon angazhimi real, i vërtetë, në zgjidhje të problemeve ekonomike e sociale dhe në përmbushje të premtimeve të dhëna dhe në veçanti të zgjidhjes së dilemës: “Reforma të ashpra apo zhvillim?”. Dhe reformat kërkojnë kohën e duhur. Ndërkaq, pritshmëritë për realizimin e premtimeve të dhëna janë të mëdha. Në pritje të tyre janë edhe çështje që kanë të bëjnë me reformimin e administratës publike, luftën ndaj evazionit fiskal dhe rritjen e ritmeve të zhvillimit ekonomik. Rruga është jo e lehtë. Vullneti, duket se nuk mungon.
Vendimi i fundit i Eurogrupit, më shumë politik se ekonomik, duket si një dëshmi e vendosmërisë së Eurozonës “për të mos u kthyer prapa”, një vendosje përpara provës së vazhdimit të reformave nga qeveria e re greke, nga njëra anë, dhe përcjelljes së mesazhit për “frenim të frymës SYRIZA” në vendet e tjera të Europës. Le të presim…

Prof.Dr.Anastas Angjeli

greek-eu-