Ish-ministri i Financave dhe deputet i PS Anastas Angjeli afron një shpjegim të detajuar të buxhetit të dy të shumicës së majtë që qeveris vendit. “Dje bëmë kthesën, sot sjellim rimëbëmbje ekonomike”, thotë akademiku politikan. Angjeli sqaron në detaje gjithë risitë e këtij ligji në një intervistë të gjatë tek JAVA. Ai tregon dhe për një “aventurë” në histori, ribotimin suprizë për herë të parë pas 80 vjetësh të një udhërrëfyesi ekonomik shqiptar, një vepër e panjohur që e bën një ish-ministër i njohur financash shqiptar

Në  Kuvend po diskutohet projektbuxheti i vitit 2015, si një ish-ministër financash dhe një ekspert i njohur, si e konsideroni atë?

Që në fillim duhet të theksoj se nëse buxhetin e vitit 2014 e konsideruam si “buxheti i kthesës” buxhetin e këtij viti mund ta konsiderojmë si “ buxheti drejt rrimëkëmbjes ekonomike dhe konsolidimit fiskal”. Ky buxhet mbështetet në ecurinë e ekonomisë së vendit gjatë viteve të fundit, zhvillimet makroekonomike të deritanishme dhe ato të pritshme deri në fund të vitit 2014, si dhe në perspektivën afatmesme të zhvillimit në vendin tonë dhe vendet e eurozonës. Prioritetet e vendosura në buxhetin e vitit 2015 reflektojnë objektivat e programit të Qeverisë dhe në përgjithësi, mbajnë, gjithashtu, në konsideratë opinionet, vlerësimet dhe rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare, si FMN e Banka Botërore, si dhe të disa agjencive prestigjoze ndërkombëtare, si “Standard and Poors”, “Doing Bussiness” etj. Njëherësh, buxheti i këtij viti është në të njëjtën linjë me kërkesat e Progres Raporteve të Komisionit Europian për Shqipërinë, veçanërisht të Progres Raportit të fundit, datë 8 tetor 2014. Në këtë dokument, ndër të tjera, vlerësohet ecuria e ekonomisë së Shqipërisë për periudhën tetor 2013-shtator 2014, si dhe jepen rekomandime për masat që duhen marrë për të siguruar ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit makroekonomik të vendit për periudhën në vijim. Vlerësimet dhe rekomandimet e Progres Raportit synojnë rimëkëmbjen e rritjes ekonomike dhe forcimin e konsolidimit fiskal. Ky konsolidim do të vijë nëpërmjet rritjes së qëndrueshmërisë së borxhit publik, shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, rritjes së të ardhurave në buxhet dhe përmirësimit të performancës në kryerjen e shpenzimeve (veçanërisht të investimeve). Synohet gjithashtu forcimin i stabilitetit të politikës monetare, zgjerimi dhe përmirësimi i sektorit financiar jobankar, përmirësimin e menaxhimit të financave publike, etj.

Progres- Raporti paraqet kërkesat për përmbushjen nga vendi ynë të objektivave dhe kritereve të Kopenhagenit dhe të detyrimeve të procesit të Stabilizim-Asocimit, si kusht për anëtarësimin në BE. Në kriterin ekonomik të këtij dokumenti vlerësohen arritjet e Shqipërisë në zbatimin e reformave ekonomike dhe mbajtjen në kontroll të stabilitetit makroekonomik, si dhe jepen konsiderata pozitive për zhvillimin e disa prej sektorëve të ekonomisë. Krahas këtyre vlerësimeve, Progres -Raporti përcakton dobësitë dhe mangësitë e konstatuara në disa fusha, si dhe jep rekomandime për forcimin e stabilitetit makroekonomik të vendit, duke theksuar prioritetet për periudhën në vijim. Në veçanti, kërkohet më shumë vëmendje që ekonomia e tregut në vendin tonë të jetë sa më funksionale dhe e aftë për të përballuar presionet e konkurrencës.

Ky është buxheti i dytë i kësaj qeverie, a mund të bëni një krahasim  me buxhetin e saj të parë? Ku ndryshojnë dhe çfarë të përbashkëta kanë?

Një vit më parë, kur diskutuam buxhetin e vitit që po mbyllim, e cilësuam atë si buxheti i kthesës. Synimi kryesor i atij buxheti ishte vënia në kontroll e financave publike, borxhit dhe defiçitit, shlyerja e detyrimeve të prapambetura dhe fillimi i mbështetjes së sektorëve ekonomikë. Tashmë që jemi në prag të mbylljes së këtij viti buxhetor, konstatojmë se këtë cilësim e merituam dhe e plotësuam. E merituam për disa arsye:  sepse kriza dhe rënia ekonomike u frenua, sepse financat publike po vihen në kontroll. Për ta kuptuar një gjë të tillë duhet të shihen këta tregues, e para, rritja ekonomike u rrit nga 1.4  për qind në 2013, në 2 për qind në 2014, e dyta, borxhi publik dhe deficiti buxhetor u vunë në kontroll, e treta, rendi publik po përmirësohet, ekonomia po jep sinjale pozitive dhe një sërë reformash po kryhen e po japin rezultat. Do të përmendja këtu disa prej tyre që janë: reforma për rregullimin e territorit, reforma në arsim, reforma e ndarjes administrative, fillimet e reformës energjitike, ajo në bujqësi e disa reforma rregullatore etj. Këto reforma duhen vazhduar e thelluar, që të mos ketë kthim mbrapa. Kthesa duhet të vazhdojë, për të rritur konsolidimin fiskal dhe rimëkëmbjen e rritjes ekonomike. Sfidat dhe risqet janë të mëdha. Prandaj edhe projektbuxheti i vitit 2015 mbetet buxheti që synon Rimëkëmbjen Ekonomike dhe Konsolidimin Fiskal.  Pra,objektivi kryesor i projektbuxhetit të vitit 2015, si dokumenti kryesor ekonomik, financiar dhe juridik i shtetit, në të cilin mpleksen dhe harmonizohen interesat ekonomike, financiare e sociale të vendit, është forcimi i mëtejshëm i stabilitetit makroekonomik të vendit, nëpërmjet rritjes së qëndrueshme së ekonomisë, kontrollit mbi borxhin publik dhe përmirësimit të administrimit fiskal, të cilat do të krijojnë kushtet për rimëkëmbje ekonomike, konsolidim fiskal, rritje të punësimit dhe të mirëqenies së qytetarëve.

Treguesit kryesorë makroekonomikë sipas p/buxhetit të vitit 2015 parashikohen të jenë: (shih tabelën majtas)

-rritja reale e PBB   3 %;

-të ardhurat     414 469 milionë lekë ose 26.2 % e PBB;

-shpenzimet      474 997 milionë lekë ose 31 % e PBB;

-deficiti            (60 528)  milionë lekë ose (4) % e PBB;

- inflacioni brënda kufijve 2-4 %;

-borxhi publik rreth 72 % e PBB;

-norma e papunësisë 16.5 % e PBB;

Të ardhurat dhe shpenzimet e projektbuxhetit parashikohen si më poshtë (në milionë lekë) :

Rritja reale e PBB, nga një tendencë reduktimi deri në vitin 2013 (viti 2012 ishte 1.6% dhe viti 2013 ishte 1.4 %), në vitin 2014, sipas parashikimeve të FMN-së, pritet të jetë rreth 2 %. Kjo tendencë në rritje parashikohet të vijojë në një përiudhë afatmesme, duke e çuar rritjen ekonomike 3 % për vitin 2015; 4 % për vitin 2016 dhe 4.5 % për vitin 2017.

Kjo rritje ekonomike do të mbështetet nga:

-  rritja e investimeve publike, duke arritur nivelin 5.1 % të PBB(80 miliardë lekë);

-  vijimi i reformave strukturore, veçanërisht në fushën e energjisë, ndarjes administrative e territoriale, e pensioneve, mbrojtjes sociale etj;

-  mbështetja e sektorëve të bujqësisë, industrisë së fasonëve, infrastrukturës rrugore , ujësjellësat dhe sektorin e arsimit e shëndetësisë;

-  vijimi i konsolidimit fiskal, për të arritur një nivel të qëndrueshëm të borxhit publik në një periudhë afatmesme;

-  vijimi i reformave rregullatore dhe shtimi i lehtësirave ndaj biznesit si gjenerator i zhvillimit ekonomik, punësimit.

E pra, këto e bëjnë këtë buxhet si buxhet që mbështet rritjen ekonomike dhe konsolidimin fiskal.

Çfarë ndikimesh pritet të ketë në ekonomi ky projektbuxhet për vitin e ardhshëm?

Ekonomia shqiptare gjatë vitit të ardhshëm pritet të vazhdojë gjallërimin e saj dhe nëse reformat në energji, mbajtja në kontroll e borxhit dhe investimet buxhetore dhe ato të huaja do të progresojnë normalisht (nuk do të cenohen),  rezultati në rritje dhe ndikimi në zhvillim e punësim do të jetë i dukshëm.

Cilët janë sektorët që mbështet më shumë? Për ju, çfarë mund të kishte ndryshe dhe si do ta qortonit atë?

Siç e theksova janë 26 masa fiskale dhe mbështetëse që merren në ndihmë të sektorit të  bujqësisë, agrobiznesit, peshkimit dhe një sërë masash që mbështesin industrinë e fasonit dhe sektorin energjitik, të naftës, mineraret, infrastrukturën e transportit  dhe investimet për rritjen e aksesit me ujë të pijshëm etj.. Këto vinë përmes paketës fiskale, e cila është duke u diskutuar në Kuvend dhe po konsultohet me faktorët e interesit dhe komunitetin e biznesit.

Ka një tentativë të fortë për formalizimin jo vetëm të ekonomisë (evazionit), por jo vetëm, pasi është dhe  kontrolli i territorit dhe sektori energjitik. Çfarë do të thotë kjo gjë nga këndvështrimi ekonomik dhe politik?

Këndvështrimi është i pleksur: dhe politik, dhe ekonomik. Është politik se ato janë masa që po zbatohen, si pjesë e një programi politik qeverisës të mazhorancës tonë. Është ekonomik se të gjitha këto janë pjesë e reformave që po ndërmerren me efekt ekonomik e financiar, me synim zhvillimin normal e të qëndrueshëm ekonomik të vendit, përmes kthimit në normalitet dhe formalizimin e “batërdisë” të bërë në territor, “e makutërisë” të bërë përmes evazionit dhe mashtrimit financiar”, e abuzimit dhe shpërdorimit energjitik,etj. Natyrisht, që veç të tjerash këto masa do të ndikojnë edhe në të ardhurat e buxhetit të shtetit. Kjo rritje parashikohet të vijë nga:

-Përmirësimi i administrimit fiskal, për të cilën ka një paketë masash, që do të vihen në zbatim. Kështu vetëm nga aksioni i javëve të fundit  në sektorin energjitik, llogariten miliona euro të arkëtuara; janë vendosur rreth 7000 kasa gjatë vitit 2014, duke shumëfishuar kuponat e lëshuar dhe, për rrjedhojë, edhe arkëtimin e detyrimeve fiskale etj.

A është bërë normale bashkëjetesa te ju mes akademikut dhe politikanit?

Që  në fillimet e zhvillimeve demokratike në vend kjo bashkëjetesë ka funksionuar natyrshëm, suksesshëm, komplementare dhe shpresoj e dobishme.

Jeni autor i shumë librave. I fundit që pritet të dalë është një bashkautorësi me titull “Ndërhyrja e shtetit në ekonomi”. Çfarë është ky libër në kolanën e botimeve tuaja?

Ky libër është një bashkëpunim me profesorin tim të nderuar Aristotel Pano  dhe sjell për lexuesit, bazuar në analiza dhe vrojtime të politikave ekonomike e financiare të zbatuara dhe të  fakteve  e të dhënave statistikore (ekonomike e financiare) për vitet 1991-2012, si dhe disa vlerësime, konkluzione për politikat dhe instrumentet e përdorura nga shteti për ndërhyrjen në ekonomi. Më lejoni të mos flas më gjatë për librin sepse besoj se librat flasin vetë.

 

Gjithashtu po kujdeseni të ribotoni Financat e Shqipërisë, botuar për herë të parë në vitin e largët 1935, i autorit Haxhi Shkoza, ministër i financave të oborrit mbretëror shqiptar. Pse kjo inisiativë, pse pikërisht ky libër dhe pse tani?

Ai nuk është një libër i zakonshëm. Nuk më mjaftojnë vetëm dy fjalë për të. Edhe pse është një libër që specialistët e ekonomisë dhe dashnorët e historisë do ta lexojnë me një frymë. Së paku kështu ka ndodhur me mua, kështu më kanë dëshmuar se u ka ndodhur dhe shumë kolegëve të mi… për gati 80 vjet me rradhë. Ku më shumë, ku më pak. Sepse bëhet fjalë për një autor të veçantë dhe një libër të veçantë. Një nga ata libra që rrallë vijnë në rafte bibliotekash. Autori Haxhi Shkoza, ka qenë Inspektor i Përgjithshëm i Oborrit Mbretëror Shqiptar, një ministër financash i kohës së mbretërisë jetëshkurtër shqiptare, kur përgatiti për botim një nga punimet më të rëndësishme të kohës dhe përtej kohës së tij me titull: “Financat e Shqipnis 1839-1934”. Ribotimi i këtij libri nga Universiteti Mesdhetar i Shqiperisë, është një tentativë tjetër, e fundmja në rradhë për ta risjellë në epokën tonë këtë ekonomist të rrallë dhe për të rilindur vlerat e veprës së tij të shkruar tetë dekada më parë. Si një falenderim i vonuar dhe si një rikujtim plotësisht i merituar. Arsyet se pse po bëhet ky ribotim janë të shumta. Ato mund të gjenden së pari në vetë vlerat e librit. Mund të gjenden në faktin që libri trajton problematika të financave shqiptare për një periudhë një shekullore, çfarë e bën librin një enciklopedi të financave publike shqiptare. Një burim drite në të shkuarën e thellë për të na bërë të kuptojmë më mirë të sotmen dhe për të na shërbyer edhe në të ardhmen. Sikur edhe vetëm këto arsye të ishin, do të quheshin të mjafta për një ribotim, ndoshta dhe të vonuar të librit. Por fatmirësisht arsyet nuk mbarojnë këtu. Sepse libri afron një informacion të gjithanshëm informacioni për gjendjen e ekonomisë shqiptare për shumë e shumë vite dhe jep të dhëna statistikore që pothuaj nuk gjenden askund të sistemuar kaq kujdesshëm dhe me një skrupulozitet të skajshëm shkencor.

Dikur, në kohën e botimit të parë të këtij libri, ministri i arsimit të kohës, Mirash Ivanaj porosiste që ai të përdorej në sistemin arsimor të vendit si një “udhëheqës nënpunësie”. Sot, mbas ribotimit, libri ka të gjitha shanset që të na japë mundësinë e frutshme që të kemi një udhërrëfyes në historinë tonë të shkuar, në historinë e financave publike, që në fund të fundit, janë paratë që dalin nga xhepi i çdo qytetari. Duke krijuar kështu më pas, një histori të tërë njerëzore, e cila nuk mund të përshkruhet kurrë e kurrësesi me vetëm dy fjalë… sepse gjithçka në këtë botë që nis me fjalën, vazhdon pashmangshmërisht me paratë…

A.Angjeli