17.03.2014Sot, në datën 17 Mars 2014 Ora 11:00, në ambjentet e Akademisë së Shkencave u organizua Simpoziumi “Etikokracia, e sotmja dhe e ardhmja”  bazuar në librin e Prof.Servet Pëllumbi me titull “Etikokracia, refleksione mbi teorinë dhe praktikën e demokracisë”.

Më poshtë fjala e Akademik, Anastas Angjeli në këtë simpozium.

DEMOKRACIA NE SCANERIN E NJE STUDIUESI E POLITIKANI: IDETE KRYESORER TE LIBRIT “ETIKOKRACIA, REFLEKSIONE MBI TEORINE DHE PRAKTIKEN E DEMOKRACISE”

 Cilido që viziton Athinën duhet ta lërë veten të humbasë nëpër rrugicat e rrethuara nga ullinjtë qindra vjecarë që ndodhen ndërmjet kodrës së Pnikës, teatrit të Herodotit dhe Agorasë antike. Atje nën hijen imponuese të kollonave të Parthenonit të ndërtuar në periudhën e Perikliut.  Atje përpara rreth 2400 viteve Klistheni themeloi atë sistem politik që ka shoqëruar si jehonë gjithë historinë e përbashkët të botës perëndimore. Demokracinë. Një term që është përdorur e vazhdon të përdoret pa masë si nga studiuesit, politikanët dhe qytetarët. Një term që përmban brenda tij gjithë ndricimin dhe karizmën e antikitetit grek, rebelimin e rilindjes evropiane, radikalizmine shekullit të 19, shekullit të revolucioneve por në të njëjtën kohë edhe ambiguitetin e periudhës së sotme. Por cili është kuptimi i vërtetë misteriozes dhe sharmantes demokraci? Cilat janë limitet e saj? Alternativat e saj? E ardhmja e saj në periudhën post moderniste në të cilën jetojmë?

Me këto problematika por edhe me  shumë të tjera, Profesor Servet Pëllumbi, përballet në studimin e tij më të ri  ‘Etikokracia, refleksione mbi teorinë dhe praktikën e demokracisë’. Një libër sa interesant aq edhe i vlefshëm, sa thelbësor aq edhe bashkëkohor. Them thelbësor sepse nuk ka cështje më të rëndësishme në lëmin e teorisë së politikës se sa teoria e demokracisë. Dhe them bashkëkohor sepse sado që ky term është 2400 vjetë i lashtë vazhdon akoma të ketë dinamikën dhe energjinë e një të riu.

Libri i Profesor Pëllumbit vjen në formën e një trinomi.Ai  është ndarë në tre pjesë. Në pjesën e parë “Demokracia dhe zhvillimi i kapitalizmit”, në pjesën e dytë “Nata e kapitalizmit global” dhe në pjesën e tretë “Në kërkim të postdemokracisë”.

 Pjesa e parë e punimit është një përqasje teorike e lidhjes që ekziston ndërmjet zhvillimit të sistemit kapitalist dhe zhvillimit të demokracisë si sistem politik. Autori është mbështetur si në mendimet e klasikëve të antikitetit grek si Platoni e Aristoteli, te filozofët e kontratës sociale Xhon Lok e  Zhan Zhak Ruso deri  te Adam Smith dhe Karl Marks. Në këtë pjesë autori hedh në diskutim cështje sa tradicjonale aq edhe bashkëkohore të teorisë së demokracisë. Cila është alternative e këtij sistemi? Cila është lidhja që ekziston midis demokracisë dhe partive politike? A mund te ketë demokraci pa partitë politike? A e përmban demokracia si nocion lirinë? Apo liria e tejkalon demokracinë? Të gjitha këtyre pyetjeve autori i përqaset duke marrë shembuj konkretë nga historia botërore (në përgjithësi për periudhën deri në fillim të viteve 90’ për këtë pjesë) por pa lënë  pas dore edhe historinë shqiptare. Kuptohet që autori nuk pretendon të japë përgjigje shteruese për këto pyetje dhe dilema por përpiqet ta bëjë lexuesin të reflektojë mbi to.

Pjesa e dytë e punimit është sipas mendimit tim edhe pjesa më interesante kjo për një arsye personale. Në këtë pjesë profesor Pëllumbi merret me një cështje që edhe mua më ka nxitur  kuriozitetin si studiues.  Me krizën globale. Kuptohet që këndvështrimet tona janë të ndryshme sepse unë jam marrë kryesisht me anën ekonomike të krizës kurse Serveti me aspektin politik. Cështjet që trajtohen në këtë pjesë janë ndikimi që epoka e globalizimit ka ushtruar ndaj demokracisë dhe si kjo e fundit është përshtatur me këto zhvillime. Sa kanë ndikuar zhvillimet e rëndësishme të teknologjisë këto 25 vitet e fundit (dhe kryesisht interneti) në procesin e  demokratizimit? Nga fokusi shkencor i autorit nuk janë lënë jashtë as lëvizjet e fundit sociale si ajo e “Occupy” ose e të “Indinjuarve” të cilat nga një pjesë e madhe e studiuesve janë parë si një formë embrionale e demokracisë së drejtpërdrejtë.  Cilat janë arsyet që një numër kaq i madh i të rinjve anë e mbanë botës ndihen të përjashtuar nga sistemi dhe përpiqen të gjejnë forma alternative të të shprehurit dhe të të protestuarit? A do të mundet sistemi demokratik ti mbijetojë pakënaqësisë së kësaj gjeneratë të re apo duhet të shohim përtej demokracisë? Cilat janë gabimet që janë bërë këto pesë vitet e fundit në përballimin e krizës globale dhe sa negativisht kanë ndikuar politikat e austiritetit dhe shtrëngimit në dobësimin e shtetit social?

Profesor Serveti na bën të reflektojmë mbi këto cështje të cilat nuk kanë vetëm vlerë teorike por janë thellësisht praktike sepse një gjeneratë e re, e zhgënjyer, me një papunësi që në vende si Greqia e Italia i kalon të 50%, është rreziku më i madh që i kanoset demokracisë sot. Sa më shpejt që qeveritë dhe klasat politike ta kuptojnë këtë dhe të reflektojnë, aq më mirë do të jetë.

Por duhet  ta pranojmë që mënyra se si elitat politike i janë përqasur krizës së fundit ekonomike e financiare ka qenë në rastin më të mirë, jo me fat. Kjo sepse politika e egër e shkurtimeve ka lënë pas plagë të rënda sociale, plagë të cilat janë përhapur edhe në sistemin politik duke lënduar edhe vetë demokracinë. I referohem këtu jo vetëm forcave ekstremiste dhe ksenofobe që vitet e fundit u forcuan në shumë vende të përfshira nga kriza por edhe për mënyrat se si vetë masat shtrënguese u imponuan në këto vende duke anshkaluar vetë institucionet bazë të demokracisë, pra parlamentet vendase.  A është e moralshme një gjë e tillë? Cila është lidhja ndërmjet etikës (ithosit) dhe demokracisë? A mundet të kemi një etikokraci? Pra një sundim të ithosit?

Me këto cështje autori merret në pjesën e tretë ku etikokracia paraqitet si një perspektivë teorike në lëmin e teorisë së demokracisë. Cështja që që nga koha e Aristotelit ka okupuar mendimin e cdo intelektuali, hidhet përsëri për diskutim. Sa e nevojshme është etika në politikën e sotme anë e mbanë botës. Dhe sa shumë e nevojshme është kjo gjë në vendin tonë. Profesori i nderuar na fton të reflektojmë mbi këtë temë me gjithë forcën dhe vullnetin tonë intelektual. Le të përpiqemi të gjithë me përulësi ta bëjmë këtë.

Ju faleminderit.