telegrafKy libër nuk është shkruar si zakonisht, por është një lloj ditari i jetës sime. Jo si individ. Jo vetëm si ekonomist, por edhe si politikan. Si i tillë, ai ka dritë hijet e mia si individ, kufizimet si ekonomist dhe anësinë time politike, të cilës nuk i shpëtoj dot. Që është e majtë dhe do të jetë e tillë si bindje, si frymëzim, si përkushtim. Ky libër është një ditar, i një lloji krejt të veçantë. Dhe një ditar, shpesh, është një rrugëtim mbrapsht në ditët e jetuara; atëherë, kur ditari ka një datë fundore dhe lexohet nga fillimi drejt fundit. Atëherë, ngjarjet, ndodhitë, përjetimet e së tashmes, japin përjetimin e një mozaiku, çdo ditë është një copëz e tij, që veç e veç duket si pa kuptim dhe të gjitha së bashku afrojnë portretin e gjithë ditëve. Në këtë ditar politik si “Ditari i tranzicionit ekonomik”, kam tentuar të jap portretin e ashpër, shpesh të çuditshëm të personazheve që kanë kushtëzuar jetën e dy dekadave të fundit në vend, të jap, sipas mënyrës sime, portretin e vetë Shqipërisë së mbajtur pezull mes të shkuarës dhe të ardhmes së saj. Nëse ka një fjalë që është përsëritur deri në mërzi në shqipen politike të këtyre viteve, ajo është fjala “tranzicion”. Është përdorur herë për të përshkruar e herë për të analizuar, herë për të gjykuar e herë për t’u justifikuar, herë si alibi e herë si mallkim. Si të gjitha bashkë, fjala “tranzicion” është edhe kryefjala e këtij libri që ju le me lutje në duar.

Fillimi

Kur nisa të punoj për “Ditarin e tranzicionit” u ktheva pas në kohë. Në fund të viteve ’80, kur era e ndryshimit sapo kishte filluar të ndihej edhe në vendin më të izoluar në Europë. Dhe dalëngadalë fillova të vëzhgoj një realitet shumë të ndryshëm nga ky i sotmi, i ndryshëm nga aspekti ekonomik, politik dhe social. Ishte pikënisja e një rrugëtimi të gjatë e të mundimshëm, të cilin po e vazhdojmë ende sot dhe që do të vazhdojmë pafundësisht. Një rrugëtim drejt një demokracie funksionale që në qendër të saj ka qytetarin. Drejt një tregu të lirë, por në funksion të mirëqenies sociale. Drejt një shoqërie të lirë, të hapur, konkurruese, por edhe solidare. Dhe pikërisht siç ndodh në jetën tonë personale, ashtu edhe në rrugëtimin tonë të përbashkët, shpesh herë, më shumë rëndësi se destinacioni përfundimtar ka vetë UDHËTIMI. Në një stacion të tillë kujtoj se terma që dikur të “hanin kokën” si pronë private, privatizim, tatim e taksa, TVSH, inflacion e papunësi, investime të huaja, borxh e koncesion, sot janë semaforë të cilët duhen mbajtur ndezur apo duhet të rindizen ndryshe. Të tjerë stacione, me iluzione të bukura dhe realitete të hidhura, me shpresë dhe zhgënjim, me ecje përpara dhe rënie të thellë, kanë shoqëruar udhëtimin tonë epik e ballkanas drejt mënyrës së të jetuarit si europianë. Kam bindjen, se sot, pas njëzet e më shumë vitesh, shoqëria jonë ka nxjerrë mësimet e duhura. Ajo ka dhe pjekurinë e nevojshme për të hedhur sytë pas dhe të shikojë me sy kritik dhe të vlerësojë të gjithë këtë periudhë. Kuptohet që rolin kryesor në këtë përpjekje e ka bota akademike, studiuesit dhe kërkuesit shkencore. Në këtë prizëm edhe unë jam përpjekur të jap kontributin tim modest nëpërmjet librit “Ditari i tranzicionit ekonomik”. Do t’ju lutesha ta shihnit dhe ju me këtë sy, këtë sprovë timen.

Fokusi, aspekti ekonomik

Libri, që sot mbani në duar, është fokusuar kryesisht në aspektin ekonomik të tranzicionit shqiptar. Por kuptohet që tranzicioni ekonomik në Shqipëri, por edhe gjithkund tjetër nuk mund të analizohet i shkëputur nga dimensionet e tjera të tij, politike, financiare, juridike, sociale dhe kulturore. Për këtë arsye të gjitha këto aspekte gjenden në sfond të analizës sime, por thelbi i saj mbetet aspekti ekonomik. Duke ruajtur rrjedhën kronologjike të fakteve, kam dashur t’ju përcjell në kohë, siç kam menduar në një kohë të caktuar atë çfarë kam shkruar. Një pjesë e tyre janë shndërruar në politika, akte ligjore dhe nënligjore, janë zbatuar apo kundërshtuar, janë pranuar apo mohuar, me të drejtë dhe pa të drejtë, por në shumë raste, kanë ndikuar, shpresoj për mirë, në zhvillimin ekonomik e social të vendit, në jetën e qindra e mijëra shqiptarëve. Sidoqoftë, për asnjë moment nuk kam menduar të ndryshoj sadopak përmbajtjen e analizave, artikujve dhe qëndrimeve të mia. Cilido material i përfshirë në këtë libër ka vulën e kohës së vet. Shkrimet janë të paraqitura në formën dhe përmbajtjen origjinale, pa ndërhyrje. Në këtë mënyrë, lexuesi mund të ndjejë jo vetëm dinamikën e ngjarjeve, por pse jo, edhe të rikujtojë mjaft elementë dhe hollësi të cilët në dukje të parëndësishme kanë luajtur një rol parësor në zhvillimet ekonomike, politike dhe sociale të dy dekadave të fundit.

Ilir Meta: Prof. Anastas Angjeli në këtë libër na mëson se “Pësimet janë mësimi i të urtit”

Fjala përshëndetëse e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir META

Në ceremoninë e promovimit të librit “Ditari i Tranzicionit”, të Prof. Anastas Angjelit

Është kënaqësi e veçantë për mua, që ndodhem këtu dhe e çmoj veçanërisht ftesën për të thënë pak fjalë për librin me shumë e shumë fjalë të mikut dhe kolegut të politikës, Anastas Angjelit. Dy dekada e ca më parë, gjithashtu mora një ftesë. Jo si këto të sotmet, të shtypura në karton të lustruar e plot shkëlqim. Ishte më shumë një ftesë vetjake që i jepja vetes për të qenë i pranishëm në atë kapërcyell historik të Shqipërisë, që nga njëra anë tendosej nën peshën e fundme të diktaturës dhe nga ana tjetër, tentonte të ndiqte ëndrrën e saj europiane. Kanë ndryshuar shumë gjëra që atëherë. Të dukshme janë flokët. Më të thinjur. Të padukshme janë shumë më shumë. Anastasi pak ka ndryshuar. Edhe mbas dy dekadash e ca, profesori i ekonomisë ende nuk ka pothuaj asnjë thinjë e ky është ndoshta sekreti i tij. Por, atëherë dhe sot, nuk është aspak sekret, që kolegu ynë është një i dashuruar i madh i punës. I punës së dukshme. Pse e kujtoj vitin ‘90? Ma kujton ky libër, që është jo vetëm një ditar pothuaj personal për shumicën e shqiptarëve, por dhe një shirit fotografik i ditë mbas ditës, stinë mbas stinës dhe vit mbas viteve të vetë Shqipërisë, e shndërrimit të saj dhe të shoqërisë së saj, në diçka krejt të ndryshme nga ajo që lamë pas. Një ditar të tillë një gazetar do ta bënte në një mënyrë tjetër. Gjithashtu edhe një politikan. Një piktor. Një i papunë që ëndërron mundësinë për të punuar. Një i varfër që bëhet biznesmen. Një biznesmen që hyn në politikë. Anastas Angjeli, ekonomisti politikan e bën në mënyrën e tij. Ai tregon një Shqipëri siç ka qenë dikur, të fotografuar sekuencë mbas sekuence, me mjetet e ekonomistit dhe politikanit. Ai tregon dhe ndryshimin e tij vetjak, gjithmonë besnik i bindjeve të tij dhe rob i punës sistematike për të ndryshuar vendin dhe vetveten. Kemi pasur një rrugëtim të gjatë të përbashkët. Në shumicën e kohës, qemë pranë. Diku u ndamë, për t’u bashkuar sërish. Shpesh në të njëjtën provë të luftës së egër politike në vend dhe luftës së ashpër për hir të paqes dhe normalitetit politik. Duke vështruar pas, dhe ky libër na e jep këtë mundësi, shoh se shumëçka mund ta kishim bërë ndryshe. Mund ta kishim bërë më mirë. Pësimet janë mësimi i të urtit. Dhe sikur qoftë dhe një nga pësimet e hershme të na dëshmojë libri i Anastasit, atëherë ai do të ishte një mësim i vyer. Që atij vetë i nis që nga brigjet e Sarandës së vendlindjes e nuk përfundon as në anën tjetër të Atlantikut, aty ku ndodhet nipi i tij, të cilit i kushtohet ky libër. Si një kujtesë për çfarë kemi qenë dhe çfarë ëndërrojmë të jemi. Shiriti fotografik i tranzicionit ekonomik të vështirë dhe të gjatë që Anastasi na sjell në këtë libër është në fundin e tij. Një fazë e re, me sfida të reja, na pret përpara. Ato janë të zhvillimit funksional të demokracisë, të konsolidimit të institucioneve të shtetit dhe të ekonomisë së tregut, të ndërmarrjes së reformave të thella strukturore në ekonomi, në dobi të përmirësimit të jetesës së çdo shqiptari, të bashkimit të vendit tonë me familjen e madhe europiane, etj. Dhe ne duhet të veprojmë me kurajo, duke bashkëpunuar dhe jo përjashtuar, duke guxuar e vepruar dhe jo stepur e nguruar. Vështirësitë ekonomike, të punësimit, të përballjes me varfërinë, të tronditjes së financave publike me të cilat po ndeshemi, do të kapërcehen përmes një harmonizimi më të mirë e eficent të vizionit të ri dhe aksionit konkret, mobilizimit dhe shfrytëzimit të të gjithë kapaciteteve dhe resurseve që ka vendi, zbatimit të një modeli të ri zhvillimi e punësimi, zbatimit të një politike fiskale efikase dhe mbështetjes më të madhe kredituese nga sistemi bankar, krijimit të një klime më të mirë dhe tërheqëse për biznesin vendas dhe të huaj, bashkëpunimit me institucionet financiare ndërkombëtare dhe zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe në fushën e investimeve me vendet dhe ekonominë rajonale, europiane dhe globale.

( Botuar tek gazeta “Telegraf ” )