sot_angjeli“Ditari i tranzicionit ekonomik” është libri më i fundit i Prof. Dr Anastas Angjelit, i cili vjen në bashkëpunim me UMSH Press dhe Shtëpinë botuese TOENA. Në promovimin e librit merrnin pjesë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, akademikë, përfaqësues të medias, studentë etj. Promovimin e hapi z. Lorenc Vangjeli i cili bëri një përshkrim të përmbajtjes së librit dhe të specifikës së tij si një libër ku analiza ekonomike ndërthuret me historinë 20 vjeçare të tranzicionit shqiptar. Në vazhdim mori fjalën Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, i cili pasi përgëzoi Profesor Angjelin për kontributin e tij të vyer në reformimin e ekonomisë shqiptare në vite vlerësoi librin e tij të fundit si një vlerë e shtuar në fushën e studimeve ekonomike. Në vazhdim, z. Meta duke marrë shkas edhe nga përmbajtja e librit u fokusua në problematikën aktuale ekonomike të Shqipërisë. Më tej, fjalën e mori Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, znj. Lindita Nikolla. Duke ju referuar librit, znj. Nikolla tha se ky studim përmban të gjithë eksperiencën profesionale, akademike dhe sigurisht edhe politike të një njeriu që për njëzet e më shumë vite ka dhënë dhe fatmirësisht vazhdon të japë kontributin e tij nga shumë pozicione, si nga ai i profesorit, ministrit, i akademikut dhe tani i deputetit. Për këto arsye, ajo e cilësoi librin “Ditari i krizës ekonomike”, një vazhdimësi të kontributit të Profesor Anastasit, një kontribut që do ti vijë në ndihmë jo vetëm specialistëve dhe studiuesve të shkencave ekonomike por edhe lexuesit të thjeshtë. Ndërsa Kryetari i Bordit të Toena, z. Jorgo Bulo dhe Prof. Dr. Sulo Hadëri në përshëndetjet e tyre vunë në dukje rëndësinë që studime të tilla kanë jo vetëm për botën akademike dhe studiuesit e shkencës ekonomike por edhe për lexuesin e thjeshtë që pas mëse 20 vitesh është i interesuar për një analizë objektive të tranzicionit shqiptar. Akademik Anastas Angjeli, pasi falënderoi të pranishmit si dhe Shtëpinë Botuese “Toena”, ndër të tjera tha se kur kishte nisur të punonte për “Ditarin e tranzicionit”. Ishte kthyer pas në kohë, në fund të viteve ’80, kur era e ndryshimit sapo kishte filluar të ndihej edhe në vendin më të izoluar në Evropë. Dhe dalëngadalë, kishte filluar të vëzhgonte një realitet shumë të ndryshëm nga ky i sotmi, i ndryshëm nga aspekti ekonomik, politik dhe social. Për të, ishte pikënisja e një rrugëtimi të gjatë e të mundimshëm të cilin po e vazhdojmë ende sot dhe që do të vazhdojmë pafundësisht. Një rrugëtim drejt një demokracie funksionale, që në qendër të saj ka qytetarin. Drejt një tregu të lirë por në funksion të mirëqenies sociale. Drejt një shoqërie të lirë, të hapur dhe solidare. “Dhe pikërisht siç ndodh në jetën tonë personale, ashtu edhe në rrugëtimin tonë të përbashkët shpeshherë më shumë rëndësi se destinacioni përfundimtar ka vetë udhëtimi. Pavarësisht se a do të arrijmë apo jo në destinacion, e rëndësishme është të mësojmë nga ky udhëtim…”, u shpreh Prof. Dr. Angjeli.

Ilir Meta: Libri, një shirit fotografik për Shqipërinë dhe shndërrimin e saj

Në promovimin e “Ditarit të Tranzicionit” të Prof Dr. Anastas Angjelit ishte i ftuar dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta. Teksa vlerësoi punën e Angjelit si ekonomist dhe politikan, Meta pohoi gjithashtu se libri i sapopromovuar i kujtonte vitin 1990, ndërsa e cilësoi atë jo vetëm si një ditar të çdo shqiptari, por dhe si një shirit fotografik i ditë mbas ditës, stinë mbas stinës dhe vit mbas viteve të vetë Shqipërisë, e shndërrimit të saj dhe të shoqërisë së saj, në diçka krejt të ndryshme nga ajo që lamë pas. “Shiriti fotografik i tranzicionit ekonomik të vështirë dhe të gjatë që Anastasi na sjell në këtë libër është në fundin e tij. Një fazë e re me sfida të reja na pret përpara. Ato janë të zhvillimit funksional të demokracisë, të konsolidimit të institucioneve të shtetit dhe të ekonomisë së tregut, të ndërmarrjes së reformave të thella strukturore në ekonomi, në dobi të përmirësimit të jetesës së çdo shqiptari, të bashkimit të vendit tonë me familjen e madhe europiane, etj”, u shpreh Meta, duke vlerësuar më tej se në vazhdim duhet vepruar me kurajo, bashkëpunim dhe guxim, duke lënë mënjanë përjashtimin, ngurimin dhe stepjen. Kreu i Kuvendit nënvizoi më tej se vështirësitë ekonomike, të punësimit, të përballjes me varfërinë, të tronditjes së financave publike me të cilat po ndeshet vendi ynë, do të kapërcehen përmes një harmonizimi më të mirë e eficent të vizionit të ri dhe aksionit konkret, mobilizimit dhe shfrytëzimit të të gjithë kapaciteteve dhe resurseve që ka vendi, zbatimit të një modeli të ri zhvillimi e punësimi, zbatimi të një politike fiskale efikase dhe mbështetjes më të madhe kredituese nga sistemi bankar, krijimit të një klime më të mirë dhe tërheqëse për biznesin vendas dhe të huaj, bashkëpunimit me institucionet financiare ndërkombëtare dhe zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe në fushën e investime me vendet dhe ekonominë rajonale, europiane dhe globale.

Prof. Dr Angjeli: Libri, një ditar i një lloji krejt të veçantë

“Është një lloj ditari i jetës sime. Jo si individ. Jo vetëm si ekonomist, por edhe si politikan. Si i tillë, ai ka dritë hijet e mia si individ, kufizimet si ekonomist dhe anësinë time politike, të cilës nuk i shpëtoje dot”. Kështu e nis përkufizimin rreth librit të tij më të fundit, Prof. Dr. Anastas Angjeli. Për akademikun Angjeli, ky libër është një ditar, i një lloji krejt të veçantë. Ai konsideron se një ditar shpesh është një rrugëtim mbrapsht në ditët e jetuara dhe se atëherë kur ditari ka një datë fundore dhe lexohet nga fillimi drejt fundit, atëherë ngjarjet, ndodhitë, përjetimet e së tashmes, japin përjetimin e një mozaiku, çdo ditë është një copëz e tij, që veç e veç duket si pa kuptim dhe të gjitha së bashku, afrojnë portretin e gjithë ditëve. Në këtë ditar politik si “Ditari i tranzicionit ekonomik”, Angjeli thotë se ka tentuar të japë portretin e ashpër, shpesh të çuditshëm të personazheve që kanë kushtëzuar jetën e dy dekadave të fundit në vend, të japë, sipas mënyrës së tij, portretin e vetë Shqipërisë së mbajtur pezull mes të shkuarës dhe të ardhmes së saj. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse në promovimin e librit, Angjeli vuri në dukje më tej se nëse ka një fjalë që është përsëritur deri në mërzi në shqipen politike të këtyre viteve, ajo është fjala tranzicion. Është përdorur herë për të përshkruar e herë për të analizuar, herë për të gjykuar e herë për t’u justifikuar, herë si alibi e herë si mallkim. Si të gjitha bashkë, fjala tranzicion është edhe kryefjala e këtij libri, që siç shprehet Angjeli, të lë me lutje në duar. Libri i është fokusuar kryesisht në aspektin ekonomik të tranzicionit shqiptar, por kuptohet që tranzicioni ekonomik në Shqipëri por edhe gjithkund tjetër nuk mund të analizohet i shkëputur nga dimensionet e tjera të tij, politike, financiare, juridike, sociale dhe kulturore. Për këtë arsye të gjitha këto aspekte gjenden në sfond të analizës, por thelbi i saj mbetet aspekti ekonomik. Duke ruajtur rrjedhën kronologjike të fakteve, autori ka dashur të përcjellë në kohë, siç ka menduar në një kohë të caktuar atë çfarë ka shkruar. Një pjesë e tyre janë shndërruar në politika, akte ligjore dhe nënligjore, janë zbatuar apo kundërshtuar, janë pranuar apo mohuar, me të drejtë dhe pa të drejtë, por në shumë raste, kanë ndikuar, në zhvillimin ekonomik e social të vendit në jetën e qindra e mijëra shqiptarëve.

Botime të profesor Angjelit:
• Financa dhe kredia (1988)
• Financat e sektorit tregtar (1988)
• Bursa (1991)
• Financat publike në Shqipëri (1992)
• Si t’i investoni paratë tuaja (1 993)
• Financat publike (1994)
• Marrëdhëniet ekonomiko-financiare ndërkombëtare (1995)
• Ekonomia bankare (1998)
• Ligjëratat Nobel në Ekonomi (4 vëllime, 2003-2004)
• Albania-Economic Development Aspirations and Endeavors for a Regional and Euro-Atlantic Integration (2004)
• Tranzicioni dhe liria ekonomike në Shqipëri (2007)
Fitues i çmimit special në edicionin e 1 3-të të Panairit të librit, “Tirana 2010″, për librin “Tranzicioni dhe liria ekonomike në Shqipëri”.
• Hyrje në ekonomi (2010)
• Makroekonomiks (2010)
• Transition and Economic Freedom in Albania (2011)
•”Në ethet e krizës” (2013)
• “Ditari i tranzicionit ekonomik” (2013)

( Botuar tek gazeta ” Sot” )